Muzika e saj vazhdon të jetojë dhe të prekë miliona njerëz, edhe pse ajo nuk është më mes nesh.
Kënga ikonike “Jolene” e legjendës së muzikës country, Dolly Parton, ka arritur një tjetër sukses historik, duke kaluar shifrën e 1 miliard dëgjimeve në platformën Spotify, gati tre muaj pas ndarjes së artistes nga jeta.
Ky është projekti i parë i këngëtares që arrin këtë rekord në platformën muzikore, duke dëshmuar se krijimtaria e saj mbetet e dashur për publikun dhe se hitet e mëdha nuk njohin kufij brezash apo kohe.
Për të shënuar këtë arritje, Spotify i ka dorëzuar një pllakë nderimi përfaqësuesve të trashëgimisë artistike të Dolly Parton. Çmimin e ka marrë mbesa e këngëtares, Danielle Parton, gjatë një ceremonie të organizuar në muzeun “Dolly’s Life of Many Colors”, në Nashville.
Por ky nuk ishte i vetmi vlerësim i rëndësishëm për trashëgiminë muzikore të këngëtares. Në të njëjtën ceremoni, Shoqata Amerikane e Industrisë së Regjistrimeve (RIAA) i akordoi një tjetër pllakë nderimi këngës “There Was Jesus”, bashkëpunimit të Dolly Parton me Zach Williams, të publikuar në vitin 2019. Kënga është certifikuar dy herë Platinum, pasi ka kaluar dy milionë njësi të shitura dhe dëgjime të konvertuara në SHBA-të.
E publikuar fillimisht në tetor të vitit 1973, “Jolene” u bë një prej këngëve më përfaqësuese të karrierës së Dolly Parton. Ajo shërbeu si singëlli i parë i albumit me të njëjtin emër, i cili doli në vitin 1974. Edhe pse në publikimin fillestar arriti deri në vendin e 60-të në klasifikimin Billboard Hot 100, pas vdekjes së artistes kënga përjetoi një rikthim të jashtëzakonshëm, duke u ngjitur deri në vendin e 16-të, pozicionin më të lartë që ka arritur ndonjëherë në këtë renditje.
Suksesi i “Jolene” është dëshmuar edhe ndër vite përmes vlerësimeve prestigjioze. Dolly Parton u nominua për çmimin Grammy në vitin 1975, në kategorinë e performancës më të mirë vokale country nga një artiste femër, për regjistrimin origjinal të këngës. Një tjetër nominim erdhi në vitin 1976, për një interpretim live të saj.
Në vitin 2017, kënga u rikthye në vëmendje përmes një versioni të ri të realizuar nga Dolly Parton në bashkëpunim me grupin Pentatonix, i cili u shpërblye me çmimin Grammy për performancën më të mirë country nga një duo apo grup.
/tvklan.al












Botërori 2026 
