Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vite burg ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 1 vit e 4 muaj heqje lirie, si dhe nuk ka të drejtë të mbajë funksione publike për 5 vite.
Ai u shpall fajtor për shpërdorim detyre, së bashku me ish-drejtorin e Tokës dhe Menaxhimit të Pronës në Bashkinë Himarë, Vasillaq Strakosha, i cili u dënua me 1 vit heqje lirie, duke përfituar gjithashtu nga gjykimi i shkurtuar.
Çështja hetimore ndaj tyre u ngrit pas kallëzimit të Fredi Belerit, i cili akuzoi Goron se në vitin 2016 kishte tjetërsuar një sipërfaqe prej 4 mijë e 263 metra katrorë tokë, duke ia kaluar Arqile Bollanos, i komanduar si pasues në krye të Bashkisë Himarë.
Më herët, Goro ishte gjetur fajtor edhe për një çështje tjetër me akuzën për shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie. Ai u dënua me dy vite e 20 ditë heqje lirie. Gjykata shpalli fajtorë për shpërdorim detyre edhe dy ish-zyrtarët Vezir Gjikoka dhe Jerasimo Basho. Ata u akuzuan se kishin lejuar tjetërsimin e një sipërfaqeje toke dhe kalimin e saj nga pronë shtetërore në pronësi private.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 