Pas veriut të Italisë moti i keq ka goditur edhe Gjermaninë si dhe Francën. Pjesë të mëdha të shtetit gjerman të Saarland u goditën nga përmbytjet duke detyruar autoritetet të shpallin emergjencën.
Videot në rrjetet sociale tregojnë makinat nën ujë në qytetin jugperëndimor të Saarbrücken ku lumi Saar ka dalë nga shtrati pas reshjeve të mëdha që goditën rajonin.
Nga disa ndërtesa në këtë zonë të qytetit autoritetet evakuuan disa familje. Sipas të dhënave të Qendrës për Matjen e nivelit të ujërave nga vërshimet, ekziston një rrezik ekstrem për vërshime. Kjo dukuri natyrore ndodh në cikle çdo 20 ose 50 vjet. Deri tani nuk ka as viktima në njerëz dhe as dëme serioze.
Paralajmërimet për shi të fortë ishin në fuqi për pjesën më të madhe të perëndimit të vendit. Ndërkaq moti i keq ka përfshirë edhe disa qytete franceze në kufi me Gjermaninë. Për shkak të përmbytjeve të rënda në Saarland, kancelari gjerman Olaf Scholz anuloi një takim për fushatën zgjedhore të Parlamentit Evropian të planifikuar për të shtunën në këtë shtet.
Nga ana tjetër stuhitë e forta vijojnë në zonën e Hjustonit. Në Katy, Teksas, një qytet në perëndim të Hjustonit, shirat e fuqishme përmbytën një lagje banimi shoqëruar me erëra të fuqishme në trajtën e një uragani.
Meteorologët kanë paralajmëruar për përmbytje të fuqishme në shumë qytete përgjatë fundjavës, ndërsa autoritetet i kanë bërë thirrje njerëzve që të mos udhëtojnë nëse nuk është e nevojshme pasi moti gjatë orëve të ardhshme paraqet një rrezik të lartë. Përmbytjet do të prekin pjesën më të madhe të Teksasit lindor dhe Luizianën perëndimore, Misisipin jugor dhe Alabamën.
Klan News