Këngëtarja më pranë fansave me hapjen e club-it të ri

Sot e ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan ishte këngëtarja Juliana Pasha, e cila rrallë herë shfaqet në ekran për intervista. Për të gjithë adhuruesit e saj këngëtarja tani do të jetë pranë tyre çdo fundjavë me hapjen e club-it më të ri në kryeqytet “La La Land” të inauguruar pak ditë më parë.

Intervista ka nisur me pyetjen e prezantueses Rudina Magjistari për një kolonë zanore, një këngë identifikuese për jetën e Juliana Pashës që ishte “I feel good”. Ajo tregoi në studio disa detaje rreth jetës si biznesmenë me bashkëshortin Altin Llakaj.

Juliana Pasha: Çfarëdo që bëj e kam bërë me dëshirë, nuk marr përsipër gjëra që nuk më rrinë. Në fund të ditës e rëndësishme është që jam po gjithmonë me bashkëshortin, nuk bëjmë asgjë vetëm, pa njëri-tjetrin. Nuk ndihem e lodhur edhe pse më ikën koha, më mjafton që jam me të. Në fillim hapëm restorantin, ne të dy na pëlqente kuzhina, donim të kishim një vend ku të mblidheshim të gjithë bashkë…

Çdo fundjavë do të jetë Juliana Pasha me bandën e saj që do të performojnë në pjesën kryesore, por do të jenë të ftuar edhe këngëtarë të tjerë të njohur.

Ashtu siç tregon edhe këngëtarja, një hapësirë në këtë lokal nate do i dedikohet këngëtarëve të rinj, ku së shpejti do të ketë edhe audicione për përzgjedhjen e tyre. Aktualisht janë dy vajzat Rea Nuhu dhe Egzona Ademi që janë bashkuar me Juliana Pashën. /tvklan.al