Në një intervistë me agjencinë boshnjake të lajmeve, shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas theksoi se për BE do të jetë e lehtë të pranojë Shqipërinë dhe Malin e Zi.
“Nëse marrim si shembull Malin e Zi ose Shqipërinë, ato janë vende shumë të vogla dhe kapaciteti përthithës i Bashkimit Evropian mund ta pranojë këtë. Mendoj se duhet që t’i shohim individualisht shtetet ballkanike dhe të shohim se si mund të përparojmë me reformat që u kërkohen atyre të plotësojnë”.
Ajo shprehu besimin se procesi i zgjerimit do të përparojë më shpejt.
“Shpresojmë se do të jemi në gjendje të ecim mjaft shpejt në procesin e zgjerimit, me kusht që detyrat e shtëpisë të bëhen nga të dyja palët, si në vendet e Ballkanit Perëndimor ashtu edhe në Bashkimin Evropian”.
Kallas ka komentuar propozimet e Francës dhe Gjermanisë rreth integrimit gradual.
“Qasja në tregun e brendshëm dhe reformat duhet të shkojnë paralelisht. Është gjithashtu e vërtetë që të gjithë duan qasje në tregun e brendshëm. Në të njëjtën kohë, ne duam të shohim që këto vende të ofrojnë atë që ne e quajmë bazat, liritë themelore, lirinë e medias, lirinë e tubimit dhe parimet e sundimit të ligjit që në të vërtetë sjellin prosperitet në këto vende”.
Kallas tha se Bashkimi Evropian nuk mund të përballojë që Ballkani Perëndimor të mbetet jashtë për një kohë të gjatë.
“Është e qartë se është në interesin tonë që shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë anëtare të Bashkimit Evropian. Situata gjeopolitike është e tillë që, nëse shikoni hartën, Evropa është në fakt një kontinent shumë i vogël. Ne kemi shumë kombe, shumë kultura dhe gjuhë të ndryshme, por të gjithë jemi shumë të vegjël. Për t’iu kundërvënë të gjithë këtyre kundërshtarëve nga jashtë, duhet të punojmë së bashku”.
Në Sarajevë, Kallas u takua me zyrtarë të lartë të Federatës me apelin për ruajtjen e stabilitetit në Bosnje-Hercegovinë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 