Argjentina po përmbyll përgatitjet për Boterorin 2026, ku do të mbrojë titullin e kampiones në fuqi.

Kombëtarja e drejtuar nga Lionel Scaloni do të zhvillojë ndeshjen e fundit miqësore ndaj Islandës në SHBA, një test i rëndësishëm para debutimit në turne.

Megjithatë, përtej rezultatit sportiv, vëmendja është përqendruar te gjendja fizike e disa futbollistëve. Disa lojtarë kanë mbërritur në grumbullim me probleme të lehta muskulore, ndërsa dëmtimet kanë shoqëruar ekipin edhe para nisjes së Botërorit.

Për këtë arsye, stafi teknik po tregon kujdes maksimal në menaxhimin e minutave. Lionel Messi pritet të aktivizohet ndaj Islandës, por vetëm për një pjesë të kufizuar të ndeshjes, me qëllim shmangien e çdo rreziku të panevojshëm.

Pas fitores në miqësoren e parë kundër Guatemalës, Argjentina vazhdon të monitorojë nga afër gjendjen e futbollistëve. Lojtarë si Nico Paz, Gonzalo Montiel dhe Nahuel Molina janë rikuperuar dhe mund të marrin minuta, ndërsa stafi teknik po vlerëson alternativat për formacionin që do të nisë Botërorin.

Situata mbetet më e ndërlikuar për Julián Álvarez, i cili ende nuk ka arritur formën optimale, ndërsa Leandro Paredes vazhdon procesin e rikuperimit.

Një goditje e rëndësishme për skuadrën ka qenë dëmtimi i Leonardo Balerdit, që e ka lënë jashtë Kupës së Botës. Zëvendësuesi i tij ende nuk është bërë i ditur.

Argjentina bën pjesë në Grupin J, ku do të nisë rrugëtimin në Botëror më 17 qershor përballë Algjerisë. Më pas, kampionët në fuqi do të sfidojnë Austrinë dhe Jordaninë.

Boterori 2026 nis më 11 qershor dhe do të transmetohet ekskluzivisht në Televizionin Kombëtar Klan.

Klan News

/tvklan.al