Presidentja e Komisionit Evropian ka mbështetur propozimet që Kanadaja të bëhet “anëtari i parë i asociuar” i BE-së.
Në fjalimin e saj në Parlamentin Evropian, Von der Leyen tha se dëshiron të “hapë derën” për Kanadanë, me synimin për të zgjeruar bashkëpunimin në sektorë strategjikë.
“Ne do të formojmë një aleancë për të ardhmen, për të krijuar një hapësirë të përbashkët prosperiteti dhe sigurie ekonomike. Ne do të punojmë në prodhimin inteligjent. Ne do të krijojmë një aleancë teknologjike. Ne do të integrojmë bazat industriale të mbrojtjes. Ne do ta bëjmë Arktikun një projekt të përbashkët kryesor. Ne do të përqendrohemi në minerale dhe bateri kritike për energjinë, në inteligjencën artificiale, sigurinë kuantike, kibernetike dhe ekonomike. Ky nuk është një partneritet kundër askujt tjetër, por për pikat tona të forta të përbashkëta”, tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, i cili ishte i pranishëm në Parlamentin Evropian, ka folur ditët e fundit për krijimin e një “aleance unike” me Bashkimin Evropian, në kuadër të turit në Evropë, në një kohë kur marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara janë tensionuar.
Në të njëjtën kohë, Von Der Leyen propozoi krijimin e një Këshilli Evropian të Sigurisë, ku do të përfshiheshin edhe vende partnere si Britania e Madhe, Ukraina, Kanadaja dhe Norvegjia, në përgjigje të sfidave të sigurisë që përballet kontinenti, veçanërisht nga kërcënimi rus.
“Nuk duhet të kemi iluzione për atë që po ndodh këtu. Kërcënimet hibride me të cilat përballet Evropa janë gjithnjë e më pak hibride dhe gjithnjë e më pak kërcënime. Sabotimi kibernetik, zjarrvënia, sulmet me dronë, ato po shtohen çdo ditë. Pra, ndërsa niveli i kërcënimit rritet, duhet të rritet edhe përgatitja e Evropës. Dhe, për këtë arsye, unë do të propozoj, së bashku me Kaja Kallas, një strategji të re evropiane të sigurisë”, tha Von Der Leyen.
Von Der Leyen njoftoi se vitin e ardhshëm do të organizohet një “Kongres i Ri i Europës” me rastin e 70-vjetorit të Traktatit të Romës.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 