Kanceri testikular është një rritje e qelizave në testikuj. Ai mund të ndodhë në çdo moshë, por më shumë tek mosha 15-45 vjeç. Shenja e parë e këtij kanceri është fryrje, ose ënjtje në një nga anët e testeve. Qelizat e kancerit mund të rriten shpejt, shpesh ato përhapen jashtë testikujve në pjesë të tjera të trupit.

I ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan mjeku Sotiraq Senjo tha se kanceri tek testikujt është një problem i shpeshtë, por shumicën e rasteve është i kurueshëm, sidomos nëse kapet në faza të hershme.

“Përveçse është i kurueshëm, është dhe shumë i rrezikshëm sepse nuk njihet nga mjekët. Mund të gabosh kur të duash sepse është tumor që kërkon ndërhyrje të shpejta dhe duhet të kesh kompetencë të plotë për ta trajtuar. Nëse nuk je i trajnuar për këtë lloj kanceri, atëherë më mirë të mos merresh, është shumë e vështirë. Nëpër botë kjo rekomandohet që të trajtohet në qendra me volum pune, që të kenë eksperiencën për ta trajtuar. Sepse është një lloj tumori që avancon shpejt dhe kërkon vendim shumë të shpejta dhe precize. Duhet të parandalosh komplikacionet në kohë, në mënyrë që të mos shtyhet trajtimi sepse nga një kancer me 95% probabilitet me të gjitha stadet, pastaj mund të ndryshojë vetëm për shkak se ti ndryshove trajtimin.”

Simptoma të tjera që mund të shoqërojnë atë janë dhimbje në fund të barkut, scrotum, dhimbja e mesit për shkak të përhapjes së kancerit në nyjet limfatike përgjatë shpinës, zmadhimi i gjoksit nga efektet hormonale. Mjeku shtoi gjithashtu se një nga simptomat e para është edhe infertiliteti.

“Zakonisht ky lloj kanceri fatmirësisht në 75% të rasteve kapet në fazë të hershme, kurse 25% është në faza më të avancuara. Kur kapet në stadin e parë kjo sëmundje është 99% e kurueshme në varësi edhe të qelizës, pasi ka disa nën tipe qelizash. Zakonisht shenja e parë dhe më e shpeshtë që raportohet dhe nga vetë pacientët është një zmadhim në scrotum, i padhembshëm, por jo çdo zmadhim në scrotum është tumor. Duhet të jeni të qartë që sapo të shikoni një zmadhim në scrotum duhet të shkoni menjëherë tek mjeku dhe të bëni një ekografi. Sa më shpejt që të shkoni tek mjeku aq më të larta janë shanset për t’u kuruar. Një shenjë tjetër është edhe zmadhimi i gjoksit. Është një formë shumë agresive e testikulit.”

Kanceri testikular është shumë i trajtueshëm dhe kur hapet në pjesë të tjera të trupit, por varet gjithashtu nga lloji dhe se sa është përhapur. Trajtimi përfshin kirurgjinë ose kimioterapinë.

“Kur kapet vonë kjo lloj patologjie dhe në stadin më të avancuar të mundshëm ka mbi 70% probabilitet që të trajtohet me kurë. Po, sa më herët ta kapësh aq më të lehta janë trajtimet, mund të mjaftohesh vetëm më biopsinë, me heqjen e testikulit dhe mbyllet me kaq. Sa më shpejt ta kapësh aq më e lehtë është trajtimi pa kaluar në pasoja më të larta.”/tvklan.al