Lajmi për ardhjen e këngëtarit Kanye West në një koncert në Tiranë ka ngjallur entuziazëm të madh te publiku. Brenda vetëm dy orësh janë shitur mbi 10 mijë bileta për këtë event të shumëpritur, i cili është planifikuar të mbahet më 11 korrik. Reagimi i menjëhershëm i fansave u pa që në minutat e para pas hapjes së shitjes, ku mijëra persona siguruan vendet e tyre në kohë rekord.
Sipas organizatorëve, kërkesa ka qenë shumë më e lartë se parashikimet fillestare, duke e shndërruar këtë koncert në një nga eventet muzikore më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë në vend. Ritmi i lartë i shitjeve që në fazën e parë tregon qartë pritshmëritë e mëdha për performancën e artistit me famë botërore.
Shitja e përgjithshme e biletave për publikun do të hapet zyrtarisht të mërkurën në orën 12:00, dhe pritet që interesi të rritet edhe më tej. Organizatorët këshillojnë të gjithë të interesuarit të jenë të “përveshin mëngët”, pasi biletat mund të mbarojnë shumë shpejt.
Bëjmë gjithashtu të ditur se pikërisht për këtë koncert, do të ndërtohet një stadium i përkohshëm, i quajtur “Eagle Stadium”, në aksin Tiranë-Durrës, i cili do të ketë një kapacitet prej rreth 60 mijë vendesh. Bëhet fjalë për një produksion gjigand i standardeve ndërkombëtare që shkon përtej një koncerti të zakonshëm.
Koncerti i Kanye West në Tiranë pritet të tërheqë jo vetëm fansa vendas, por edhe vizitorë nga rajoni dhe më gjerë, duke e vendosur kryeqytetin në qendër të vëmendjes muzikore gjatë kësaj vere.













Botërori 2026 
