Policia ka arrestuar 15 protestues për veprimet e dhunshme gjatë mbrëmjes së djeshme, 22 mars, si dhe ka proceduar në gjendje të lirë 9 të tjerë.

Në total ishin 23 të shoqëruar, mes tyre edhe 4 të mitur, të cilët u lanë të lirë, raporton gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj.

Siç informojnë blutë e Tiranës, të arrestuarit hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë.


“Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 24 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim u arrestuan në flagrancë shtetasit O. K., 43 vjeç; M. J., 53 vjeç; S. D., 48 vjeçe; E. H., 22 vjeç; A. M., 50 vjeç; A. K., 55 vjeç; A. K., 58 vjeç; K. T., 34 vjeç; F. D., 34 vjeç; H. D., 36 vjeç; Xh. T., 40 vjeç; Xh. K., 30 vjeç; E. T., 21 vjeç; I. Xh., 33 vjeç; dhe L. G., 19 vjeç.
-nisi procedimi penal për shtetasit: K. M, E. H, L. M dhe për 5 shtetas të mitur“, thuhet në njoftimin zyrtar, ku nënvizohet se janë shkaktuar dëmtime në disa godina institucionale, janë djegur disa kosha mbeturinash si dhe një automjet policie.

Mësohet po ashtu, se është proceduar penalisht deputeti Klevis Balliu, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shtyrja e të miturit në krim”.

Ashtu si herët e shkuara, edhe protesta e 6-të kombëtare e Partisë Demokratike, e cila zgjati rreth 2 orë e gjysmë, u shoqërua me tensione dhe incidente të shumta. Protestuesit marshuan drejt institucioneve kryesore, përfshirë Kryeministrinë, ku u hodhën molotovë, fishekzjarrë dhe flakadanë.

Policia ndërhyri disa herë duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.

Si pasojë e përplasjeve, mbetën të lënduar 6 efektivë policie, ndërsa një qytetar humbi ndjenjat.

Gazi lotsjellës preku edhe kryetarin e PD-së, Sali Berisha, i cili u detyrua të ndalonte për disa momente përpara se të rikthehej në protestë. Pas përfundimit të tubimit, Berisha e cilësoi protestën si të suksesshme dhe la të kuptohet se të tjera ‘aksione’ priten në vijim.

Nga ana tjetër, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, vizitoi në Spitalin e Traumës efektivët e plagosur duke dënuar ashpër dhunën ndaj uniformave blu dhe përdorimin e mjeteve të rrezikshme gjatë protestës.

Ai ngriti shqetësimin edhe për përfshirjen e të miturve në akte dhune, duke e cilësuar këtë si një akt manipulimi dhe shfrytëzimi.

Sipas Lamallarit, përdorimi i fëmijëve për të hedhur molotovë apo mjete të tjera ndaj institucioneve dhe policisë përbën shkelje të rëndë dhe përgjegjësi penale për personat që i nxisin këto veprime. Theksoi se sulmet ndaj punonjësve të shtetit janë të patolerueshme.

Ndërkohë, këtë të hënë, ka një reagim edhe nga Ambasada gjermane në vend.

“Ambasada Gjermane dënon dhunën e papranueshme në kuadër të demonstratave të djeshme. Protestat politike dhe e drejta për të demonstruar janë të drejta themelore në çdo shoqëri demokratike, por ato nuk mund të përligjin asnjëherë dhunën ndaj personave apo objekteve. Ne kërkojmë prej përfaqësuesve të partive politike përgjegjëse të distancohen në mënyrë të paekuivoke nga dhuna”, shkruhet në një postim në faqen zyrtare.