Importet e mallrave të akcizës në Shqipëri kanë shënuar rritje dyshifrore gjatë vitit 2025, duke reflektuar një kërkesë më të lartë për konsum dhe një aktivitet ekonomik më të gjallë. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se rritja prej 12% e importeve është udhëhequr kryesisht nga mallrat e akcizës, të cilat përbëjnë rreth 9.7%, ku përfshihen karburantet, birra dhe kafeja, ndërsa cigaret mbeten produkti me ecurinë më të dobët në këtë grup mallrash.

Karburantet mbeten produkti më i importuar dhe një nga treguesit kryesorë të aktivitetit ekonomik në vend. Gjatë vitit, importet e tyre kanë arritur mbi 740 mijë ton, ndërsa vetëm në tremujorin e parë janë futur në vend rreth 158 mijë ton karburant. Kërkesa për këtë produkt është rritur gradualisht gjatë vitit, duke arritur kulmin në tremujorin e tretë me mbi 209 mijë ton.

Rritje e qëndrueshme vihet re edhe në importin e kafesë, një produkt që lidhet drejtpërdrejt me konsumin e përditshëm dhe sektorin e shërbimeve. Gjatë vitit janë importuar mbi 10 mijë ton kafe, me një rritje të dukshme sidomos në tremujorin e fundit të vitit.

Në rritje të ndjeshme paraqitet edhe importi i birrës, produkt që lidhet drejtpërdrejt me konsumin e përditshëm dhe me zhvillimin e sektorit të shërbimeve dhe turizmit. Ndërkohë, cigaret shfaqin një ecuri më të dobët krahasuar me mallrat e tjera të akcizës. Rënia e importeve lidhet me disa faktorë.

Së pari, rritja e vazhdueshme e akcizës dhe e çmimeve ka ndikuar në uljen e konsumit të duhanit. Paralelisht, ndërgjegjësimi më i madh i konsumatorëve për efektet e duhanit ka ndikuar në ndryshimin e sjelljes së një pjese të konsumatorëve, teksa një pjesë e konsumit është zhvendosur edhe drejt produkteve alternative të nikotinës.

Në tërësi, rritja e importeve të mallrave të akcizës tregon një kërkesë të fortë në tregun vendas, ndërsa zhvillimet tek cigaret sinjalizojnë një ndryshim gradual në strukturën e konsumit.

Tv Klan

/tvklan.al