Mbi 80 mijë ton karburante u zhdoganuan në Shqipëri vetëm gjatë muajit gusht, duke shënuar nivelin më të lartë mujor të regjistruar ndonjëherë deri tani. Një rekord që është reflektuar drejtpërdrejt edhe në të ardhurat e arkëtuara nga Doganat.

Në gusht, arkëtimet doganore arritën në 22.8 miliardë lekë, rreth 1.7 miliardë lekë më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Dhe një pjesë e rëndësishme e kësaj rritjeje lidhet pikërisht me karburantet. Vetëm nga akciza, të ardhurat e lidhura me karburantet u rritën me 264 milionë lekë, ndërsa një tjetër kontribut prej 187 milionë lekësh erdhi nga cigaret.

Por ndikimi ishte edhe më i madh te TVSH-ja e mbledhur në import. Ky zë u rrit me 1.1 miliardë lekë, ku karburantet kontribuuan me 741 milionë lekë. Pra, vetëm karburantet sollën qindra milionë lekë shtesë në arkën doganore, përmes dy prej zërave kryesorë të të ardhurave.

Në rritjen e TVSH-së ndikuan edhe importet e tjera, me 161 milionë lekë, ndërsa autoveturat e përdorura shtuan edhe 146 milionë lekë. Shifrat tregojnë kështu se gushti nuk solli vetëm një rekord në sasinë e karburantit të zhdoganuar, por edhe një kontribut të ndjeshëm të tij në të ardhurat e shtetit.

Tv Klan

/tvklan.al