Intervistë nga Noura Doukhi, L’Orient-Le Jour

Izraeli ka ndërmarrë sërish sulme në Siri, duke u përfshirë këtë herë në tensionet që prej së dielës, 13 korrik, kanë përfshirë rajonin me shumicë druze të Suweidës, në jug të vendit. Kjo ndërhyrje vjen pas një tjetër aksioni ushtarak të ndërmarrë në fillim të majit, të justifikuar si përpjekje për të mbrojtur këtë minoritet.

Teksa në terren janë zhvilluar përleshje të ashpra mes luftëtarëve druzë dhe disa fiseve beduine, ku më pas ndërhynë edhe forcat e regjimit sirian, Izraeli konfirmoi se dje, 15 korrik, ka goditur objektiva të lidhura me pushtetin, ndërsa një ditë më parë kishte shkatërruar disa tanke të ushtrisë së Damaskut.

Këto sulme ndodhin në një kohë delikate, kur në prapaskenë po zhvillohen bisedime për një mundësi normalizimi mes Izraelit dhe Sirisë.

Të shtunën, 12 korrik, një përfaqësues sirian dhe një izraelit raportohet se janë takuar në Baku, gjatë vizitës së presidentit të përkohshëm sirian, Ahmed al Sharaa, në Azerbajxhan.

Eksperti Nicholas Heras nga New Lines Institute analizon sfondin e këtyre zhvillimeve.

Sipas Izraelit, sulmet ishin një “paralajmërim i qartë” ndaj regjimit të Damaskut. Por deri në çfarë mase po shfrytëzon Izraeli tensionet etnike në Siri për interesat e veta?

Kryeministri Benjamin Netanyahu po përballet me presion të madh politik nga komuniteti druzi brenda Izraelit, për të ndërhyrë në mbrojtje të druzëve në Siri. Në Izrael, druzët përbëjnë një komunitet të rëndësishëm dhe shumë prej tyre kanë shërbyer në ushtrinë izraelite. Ata janë elektorat i mundshëm për partinë Likud, ndaj pozicionimi i Netanyahut në lidhje me Suweidën ka edhe një llogari elektorale pas vetes. Ai gjithashtu e ka konsideruar tradicionalisht Izraelin si mbrojtës të komunitetit druzi në rajon.

Megjithatë, lëvizjet e qeverisë së tij duken më shumë si manovra të brendshme politike. Në vetë komunitetin druzi izraelit ekziston perceptimi se çështja e tyre po përdoret në mënyrë cinike nga Netanyahu, gjë që mund të çojë në izolimin e tyre në mbarë Lindjen e Mesme. Nga ana tjetër, komuniteti druzi në Siri nuk është një grup i unifikuar. Shumë prej tyre kërkojnë një marrëveshje me qeverinë e Ahmed al Sharaa, dhe nuk dëshirojnë ndërhyrjen izraelite në punët e brendshme të vendit. Edhe për ata që janë kundër al Sharaa, lidhja me Izraelin është shumë e ndjeshme dhe e vështirë për t’u pranuar, duke qenë se Tel Avivi vazhdon të stigmatizohet në opinionin publik sirian.

Që prej të hënës, disa analistë të tjerë e cilësojnë ndërhyrjen izraelite si simbolike. Megjithatë, ministri izraelit për Diasporën dhe Luftën kundër Antisemitizmit bëri thirrje për eliminimin e menjëhershëm të Ahmed al Sharaa, duke e cilësuar atë si “terrorist”. Pyetja që ngrihet është: Çfarë synon realisht qeveria izraelite në Siri?

Netanyahu po ndjek një qasje të kujdesshme në marrëdhëniet me qeverinë e re në Damask.

Ai kërkon që Siria e ardhshme të mos paraqesë rrezik për Izraelin, siç janë aktualisht Egjipti apo Jordania. Sipas tij, Ahmed al-Sharaa përbën një kërcënim të ardhshëm të ngjashëm me rrymat radikale islamike sunite, ndaj mbetet mosbesues ndaj tij dhe aleatëve të tij në Damask. Perëndimi dhe aktorët rajonalë po përpiqen, përmes diplomacisë dhe investimeve të mundshme, ta bindin presidentin sirian që vendi i tij mund të jetë një fqinj i qetë për Izraelin.

Po cili është vizioni i vetë Damaskut?

Presidenti i përkohshëm Ahmed al Sharaa, dëshiron që Izraeli të mos pengojë përpjekjet e tij për konsolidimin e pushtetit në vend. Ai do të mirëpriste investime, ndoshta edhe nga Izraeli përmes Emirateve të Bashkuara Arabe. Por aleatët e tij politikë kanë synime më të mëdha, rikthimin e Lartësive të Golanit nën kontrollin sirian.

Kjo e vë atë në një pozitë të vështirë: nga njëra anë, i interesuar për dialog të heshtur me Izraelin, dhe nga ana tjetër, i detyruar të tregojë se nuk do të bëjë asnjë lëshim pa një çmim të lartë politik./tvklan.al

/tvklan.al