Një udhëtim mes majave të larta, si ajo e Vajushës dhe Bjeshkëve të Nemuna, është ky i radhës në Klan Explorer. Nisja bëhet nga Lëpusha, një fshat i vogël dhe shumë piktoresk në zemër të Kelmendit, ku gjen jo vetëm një natyrë të mrekullueshme, por edhe ruajtjen e traditave të lashta të veriut, që nga mikpritja dhe deri tek kënga me çifteli që oshëtin si malet që e rrethojnë.

Natyra e mrekullueshme e Alpeve Shqiptare bën që të përhumbesh në bukuritë e saj të pashoqe. Edhe në ato maja të larta e thepisura, jeta gjallon. Jo vetëm jeta e natyrës së egër, por edhe ajo baritore dhe e staneve që ndjekin traditën e verimit në bjeshkët e freskëta.

Ky udhëtim është një zbulim i skajeve më veriore shqiptare, duke shkuar deri në Vermosh, në fshatin e fundit shqiptar, ku edhe natyra ka bërë mrekullitë e saj, me Kanionin e Vermoshit.

Kjo bukuri e egër jo vetëm që është kartolina që të gjithë do të donin ta kishin si kujtim, por është edhe magnet për dhjetëra turistë të huaj, që duan të përhumbën në bukuritë e natyrës shqiptare.

Tv Klan

/tvklan.al