Lavdërim Muhaxheri mbetet rrezik për Ballkanin. Sipas italianes “L’Espresso”, prej disa javësh ai rezulton të jetë kthyer në Kosovë. Lavdërim Muhaxheri është njohur si një nga xhihadistët më të rrezikshëm.

Po rikthehen me dhjetëra nga Siria dhe nga Iraku. Humbjet në terren, me tërheqjen e ISIS nga shumë territore të pushtuara, shtyjnë luftëtarët e huaj që të përshkruajnë sërish itenerarin e tyre të terrorit. Ndërsa objektivi mbetet i njëjtë: Europa. Europa që duhet goditur në zemër të saj, sipas deklaratave dhe strategjive të publikuara në internet nga krerët e shtetit të vetëshpallur islamik, pas humbjeve të rënda të pësuara muajt e fundit.

Shumë nga xhihadistët që rikthehen janë ballkanas, disa përgjohen. Ndërsa pjesa më e madhe jo.

I kërkuari numër një quhet Lavdrim Muhaxheri, “Kasapi i Ballkanit” i njohur sidomos për tmerrin e publikuar në rrjetet sociale në vitin 2014, kur 29-vjeçari kosovar postonte pamje të tij duke vrarë adoleshentë, të cilët i konsideronte tradhtarë.

Muhaxheri, i njohur dhe si Abu Abdullah al-Kosov, konsiderohet prej kohësh një nga krerët e Isis, pas rritjes së rolit të tij si lider në Brigadën Ballkanike, dhe shumë herë është shpallur i vdekur në Siri. Por në muajin Gusht të 2016-ës, ai u rishfaq sërish në rrjetet sociale, i buzëqeshur dhe me një armë Ak-47 në dorë.

Por ajo që është me keqja, sipas asaj që shkruan italiania “L’Espresso” bazuar në burimet e shërbimeve italiane në Kosovë, është se kasapi i Kaçanikut, një qytet i vogël në Kosovë në kufi me Maqedoninë, dhe që ka marrë famën e një qendre për rekrutimin e xhihadistëve, është se prej disa muajsh ai rezulton të jetë kthyer në Kosovë, me rreth 400 ndjekës të Kalifatit.

Kalimi i Lavdrim Muhaxherit është sinjalizuar në Maqedoni në mesin e muajit Nëntor, dhe për këtë janë vënë në dijeni dhe autoritetet maqedonase dhe kosovare si dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës, njësitë anti-terrorizëm shqiptare dhe maqedonase, por ai nuk gjendet askund.

Rikthimi i Muhaxherit në zonën Ballkanike sipas shërbimit italian të inteligjencës, konsiderohet një kërcënim serioz jo vetëm për Ballkanin por për shumë vende europiane ku lideri xhihadist kosovar, tashmë në listën e terroristëve globalë të Departamentit Amerikan të Shtetit, ka kontaktet e tij, dhe është në gjendje të sulmojë.

Rrjeti xhihadist i kasapit është i gjerë. Muhaxheri e njeh shumë mirë armikun e tij, pasi ka punuar para se të konvertohej në xhihadist në bazën amerikane të KFOR-it në Kosovë dhe më parë për NATO-n në Afganistan. / tvklan.al