Skandal me mbetjet urbane në Vlorë. Vendgrumbullimi i plehrave ka shpërthyer në flakë mëngjesin e të premtes dhe tymi ka mbuluar të gjithë qytetin bregdetar, ku aktualisht pushojnë mijëra turistë, shqiptarë e të huaj.

Siç e shihni në këto pamje, shtëllungat e tymit janë përhapur mbi qytet dhe në plazhet e Vlorës, ku pushuesit janë detyruar të largohen.

Ky skandal është një kronikë e paralajmëruar. Ka ndodhur kështu edhe një vit më parë.

Zgjidhja e problemit të plehrave në  Vlorë dhe në Orikum, të cilat po dëmtojnë mjedisin dhe imazhin e Shqipërisë turistike, është mbajtur peng nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Kjo ministri duhet të kishte miratuar kuadrin ligjor që në muajin nëntor të vitit 2023 në mënyrë që të mundësonte operimin e landfillit të Sherishtës, që do t’i jepte zgjidhje problemit të mbetjeve. Siç e shihni nga pamjet, landfilli i Sherishtës ka përfunduar.

Në nëntor 2023 u ndryshua kuadri ligjor për t’i i transferuar përgjegjësite për mbetjen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tek Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Ky ndryshim çoi në nevojën për të ndryshuar marrëveshjet e financimit për projektin. Pa këto marrëveshje KFW nuk miraton as financimin e supervizorit dhe as përfundimin e pjesës së mbetur të punimeve në landfillin e Sherishtës. Po kanë kaluar 8 muaj dhe dokumentacioni nuk është ende gati.

8 muaj për një VKM, e cila, nëse do të ishte miratuar në kohë, do ta kishte evituar këtë katastrofe mjedisore dhe këtë pamje skandaloze, që përbën reklamën më të keqe të Shqipërisë  turistike.

Zgjidhja është vonuar edhe nga Ministria e Financave, pjesë e ndryshimit të kuadrit ligjor për të vënë në punë landfillin e Sherishtës.

Miratimi i kuadrit ligjor do të zgjidhte edhe katastrofën tjetër mjedisore me plehrat e Orikumit. Këto plehra hidhen anës rrugës kombëtare që të çon në perlën e bregdetit shqiptar dhe që fatkeqësisht ky vendgrumbullim amator i plehrave, e prezanton tmerrësisht shëmtuar këtë mrekulli të bregut të jugut.

Ajo që shohim sot në këto pamje, nuk është gjë tjetër veçse një dështim i Ministisë së Turizmit e Mjedisit dhe Ministrise se Financave, përgjegjëse për katastrofën mjedisore që po përjeton Vlora për anti-reklamën më të madhe që mund t’i bëhet Shqipërisë turistike.

Klan News