Pogradeci ka regjistruar një tjetër fitore në Kategorinë e Parë, duke triumfuar 0-1 në transfertë ndaj Burrelit në javën e 11-të.

Vendimtar për liqenorët ishte sërish sulmuesi Chinwendu, i cili shënoi golin e vetëm të sfidës në minutën e 28-të, ndërsa miqtë shpërdoruan edhe disa raste të tjera për të dyfishuar shifrat.

Me këtë trepikësh, skuadra e Pogradecit ngjitet në vendin e dytë me 20 pikë, vetëm një pikë larg Ilirisë kryesuese që ka një ndeshje më shumë për të zhvilluar.

Nga ana tjetër, Burreli pësoi humbjen e katërt në pesë ndeshjet e fundit dhe mbetet në vendin e 10-të me vetëm 7 pikë të grumbulluara.

Surpriza e madhe e kësaj jave erdhi nga dueli me tension të lartë ku Oriku mposhti 1-0 Kukësin, duke shijuar kështu fitoren e parë sezonale. Pas këtij hapi fals, verilindorët mbeten në vendin e pestë me 18 pikë, ndërsa Oriku vijon të mbajë vendin e fundit me 5 pikë.

Në përballjen tjetër të zhvilluar, Korabi siguroi një fitore të pastër 2-0 ndaj Sopotit, rezultat që e ngjit skuadrën dibrane në vendin e shtatë me 15 pikë.

/tvklan.al