Kategoria Superiore do të luajë javën e saj të katërt duke nisur nga mbrëmja e sotme me sfidën Skënderbeu-Tirana.

Korçarët kërkojnë fitoren e parë në këtë sezon, përballë bardhebluve që vijnë të karikuar dhe të motivuar pas triumfit me goleadë kundër Vorës.

Kjo javë rezervon derbin e kryeqytetit mes Partizanit dhe Dinamo Sitit, një test që do të shërbejë për të treguar se cilat janë objektivat e klubit të kuq.

Trajneri Florin Bratu nuk e mohoi faktin që ka folur me Fadairon, i cili ishte i huazuar tek blutë në ndeshjet Europiane, për të zbuluar sekretet e rivalit.

“Është diçka normale që të ndodhë. Ne flasim gjithmonë me lojtarët. Por kjo nuk ka shumë rëndësi. Duhet të zbresim në fushë dhe të luftojmë për të treguar se jemi Partizani. Është një skuadër me histori dhe ne duhet të luftojmë gjithmonë për objektiva madhorë”, tha trajneri i Partizanit, Florin Bratu.

Partizani dhe Dinamo vijnë me moral të lartë pas fitoreve në javët e fundit respektivisht ndaj Vllaznisë dhe Elbasanit.

Ndeshjet e tjera të vlefshme për javën e katërt janë Teuta-Vora, Laçi-Vllaznia dhe Elbasani-Egnatia.

/tvklan.al