Valë raketash balistike dhe dronësh kamikazë shpërthyen mbi Kiev në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, duke shkaktuar disa viktima e më shumë se 20 të plagosur dhe dëme të mëdha në zona të banuara. Siç shihen edhe në këto pamje, zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit luftuan me flakët në ndërtesat e dëmtuara për të evakuuar banorët, një pjesë e të cilëve ndodheshin nën rrënoja.
Autoritetet ukrainase thanë se sulmet goditën më shumë se 40 pika në kryeqytet dhe zonat përreth. U dëmtuan banesa, shkolla, godina administrative dhe qendra biznesi, ndërsa shumë automjete u përfshinë nga flakët.
Pak para sulmit, Forcat Ajrore të Ukrainës paralajmëruan se Rusia do të përdorte raketat hipersonike “Oreshnik”. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se një raketë e tillë goditi qytetin Bila Tserkva në rajonin e Kievit.
“Sulmi ishte i rëndë. U përdorën 90 raketa të llojeve të ndryshme, përfshirë 36 raketa balistike, si edhe 600 dronë. Fatkeqësisht, jo të gjitha raketat balistike u rrëzuan. Shumica e goditjeve ishin ndaj Kievit, që ishte objektivi kryesor i këtij sulmi rus.”
Zelensky akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se po godet objektiva civile dhe infrastrukturë jetike, duke përmendur sulmet ndaj tregjeve, shkollave dhe sistemeve të furnizimit me ujë.
Sulmi vjen vetëm një ditë pasi presidenti ukrainas paralajmëroi, duke iu referuar të dhënave të inteligjencës, se Rusia po përgatiste një ofensivë të kombinuar me raketa dhe dronë kundër Ukrainës, veçanërisht ndaj kryeqytetit Kiev.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 