Plani i Von der Leyen kalon hapin e parë

Komisioni Evropian miratoi dokumentin për reformat brenda Bashkimit Evropian para zgjerimit të bllokut 27 anëtarësh.

Plani i paraqitur nga presidentja Ursula Von der Leyen parashikon heqjen e vetos dhe të vendimmarrjes unanime për procesin e anëtarësimit të vendeve të reja në Bashkimin Europian.

“Mundësia e fuqizimit të Këshillit për të vendosur me shumicë të cilësuar mund të shqyrtohet për disa hapa të ndërmjetëm të procesit të zgjerimit. Mbyllja e kapitujve të negociatave duhet të vazhdojë të merret me unanimitet të të gjitha shteteve anëtare, si dhe vendimi përfundimtar për anëtarësimin aktual të një anëtari të ri në Bashkimin Evropian”.

Rasti i fundit kur një vend anëtar ka përdorur veton në proceset integruese ndaj një vendi aspirant është ai i para disa muajve i Greqisë kundër Shqipërisë.

Në procesin e zgjerimit janë gjashtë vende nga rajoni i Ballkanit Perëndimor; Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Kosova, si dhe Turqia, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.

Pas miratimit në Komisionin Evropian për reformat e brendshme të BE-së para zgjerimit do të diskutohet edhe në Këshill nga vendet anëtare.

Tv Klan