06 tetor 2026 – Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, prezantoi sot në Strasburg paketën e re të qasjes së BE-së përballë zgjerimit të mëtejshëm në të ardhmen. Plani i ri përqendrohet në pesë fusha kryesore, qeverisjen e BE-së, shtetin e së drejtës, politikat europiane, buxhetin dhe integrimin gradual të vendeve kandidate.

Marta Kos tha se paketa e re është një ndryshim i rëndësishëm dhe pritet të ndikojë në formën sesi Bashkimi Evropian do të funksionojë me anëtarët e rinj.

“Zgjerimi është në interesin tonë. Ka të bëjë me mbrojtjen e interesave dhe vlerave tona. Është një investim afatgjatë për paqen dhe prosperitetin e Europës. Është një mundësi për ta bërë Europën më të fortë. Rrit peshën tonë politike dhe ekonomike dhe sjell përfitime të qarta për qytetarët, demokracinë dhe sigurinë. Është i mirë për ekonominë europiane dhe krijon më shumë vende pune dhe mundësi për njerëzit dhe bizneset”, tha Kos.

Sipas Komisionit, paketa nuk ndryshon kushtet për anëtarësim, por përcakton mënyrën se si Bashkimi Europian duhet të përgatitet për një zgjerim të ri. Një prej pikave më të rëndësishme është ajo e ndryshimit të formës së vendimmarrjes për një sërë çështjesh të caktuara.

Referuar politikave aktuale të BE-së, për shumë vendime gjatë procesit të anëtarësimit kërkohet miratimi i të gjitha shteteve anëtare. Kjo do të thotë se edhe një vend i vetëm mund të bllokojë hapjen e një grup-kapitulli ose një vendim tjetër të ndërmjetëm të negociatave.

Komisioni thotë që një pjesë e këtyre vendimeve të mos merren më me unanimitet, por me shumicë të cilësuar, aty ku traktatet e Bashkimit Europian e lejojnë. Sipas propozimit, kjo do të vlente për vendimet ndërmjetëse gjatë negociatave të anëtarësimit, si hapja e grup-kapitujve, por edhe në fusha të tjera si sanksionet, lufta kundër mashtrimit fiskal dhe disa politika energjetike.

Komisioni Evropian prezanton dhe integrim gradual për vendet kandidate. Kos sqaron se kjo formë e integrimit në familjen e madhe evropiane, nuk do të zëvendësojë kurrësesi anëtarësimin e plotë, por do të përfshijë hap pas hapi në politika e programet evropiane shtetet kandidate.

Kjo do të lejojë që vendet kandidate të përfshihen gradualisht në Tregun e Përbashkët Europian, në sektorët e energjisë, transportit, inteligjencës artificiale, mbrojtjes dhe sigurisë, si edhe në programe si Erasmus+, Horizon Europe dhe Creative Europe.

“Ne duam të jemi shumë më ambiciozë në integrimin e vendeve tona kandidate në pjesë të përzgjedhura të Bashkimit përpara anëtarësimit. Integrimi gradual nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotë. Ai është përshpejtuesi i zgjerimit. Ai është një urë midis nevojës gjeopolitike për të stabilizuar kontinentin tonë dhe ndjekjes së një zgjerimi të bazuar në merita. Integrimi gradual do të kërkojë dy përbërës kyçë: përparim në reformat e vendeve kandidate dhe përafrim strategjik.

Dhe kjo është risia. Sapo vendet kandidate të përmbushin standardet, ato duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në sektorë strategjikë ku ka përfitime të qarta për të dyja palët për shtetet aktuale dhe të ardhshme anëtare, si energjia, transporti, inteligjenca artificiale, siguria ose mbrojtja. Kjo do të thotë se ne do të shqyrtojmë shumë më tepër edhe atë që ky integrim gradual mund të sjellë për ne. Kjo është e mirë për kompanitë e BE-së dhe partnerët e tyre në shtetet e ardhshme anëtare” tha Kos.

Për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Moldavinë, Komisioni Evropian ka propozuar hartimin e një udhërrëfyesi që do të përcaktojë prioritetet dhe hapat e mëtejshëm të negociatave, nëse vendi vazhdon me ritmin e reformave. Së dyti, këto vende mund të fillojnë të integrohen gradualisht në një sërë politikash dhe programesh europiane edhe përpara anëtarësimit të plotë, nëse plotësojnë kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian.

” Ne kemi identifikuar katër vende kryesuese. Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina. Këto vende kanë treguar përparim të konsiderueshëm sa i përket gatishmërisë gjatë viteve të fundit. Në raportet e zgjerimit që do të publikohen në fund të tetorit, më 28 tetor, ne synojmë të paraqesim udhërrëfyes tregues për këto vende. Ne duam t’i ndihmojmë ato të ruajnë përparimin në reforma dhe këta udhërrëfyes do të përcaktojnë hapat e ardhshëm. Ato do të përmbajnë afate kohore orientuese dhe rezultate të qarta që duhet të arrihen. Kjo do të na sigurojë më shumë parashikueshmëri në rrugën drejt anëtarësimit. E rëndësishme, kjo rrugë do të vazhdojë të bazohet në arritjet individuale të vendeve kandidate. Nuk do të ketë rrugë të shkurtra” tha Kos.

Ndër të tjera, ky program i ri flet për rregulla më të forta për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Përveç tre mekanizmave ekzistues për ekonominë, tregun e brendshëm dhe drejtësinë, Komisioni propozon për herë të parë edhe një mekanizëm institucional që mund të aktivizohet në rast të shkeljeve serioze të demokracisë, të drejtave themelore ose parimit të bashkëpunimit me BE-në.

Në rastet më të rënda, masat mund të arrijnë deri në pezullimin e të drejtës së votës së një shteti në Këshillin e Bashkimit Europian. Dokumenti parashikon gjithashtu monitorim edhe pas përfundimit të negociatave dhe, në raste ekstreme, mundësinë e shtyrjes së anëtarësimit nëse një vend bën hapa pas në reforma.

/tvklan.al