“Përmirësime në trajtimin e emigracionit të parregullt”

Komisioni Evropian e vlerëson Shqipërinë si një vend që vazhdon të përmbushë kërkesat për liberalizimin e vizave. Në fokus të raportit të prezantuar me 10 Korrik janë fushat specifike të sigurisë dhe migracionit, për të cilat kërkohen veprime të mëtejshme. Raporti thekson se vendi ynë ka shënuar përmirësime në trajtimin e migracionit të parregullt përmes forcimit të kontrollit kufitar.

Megjithatë rekomandon se Shqipëria duhet të ndërmarrë masa kundër emigrimit të paligjshëm dhe kundër kërkesave të pabazuara për azil në vendet europiane. Edhe pse numri i kërkesave për azil është ulur për të katërtin vit radhazi, një rënie kjo prej 5%, në raport thuhet se migrimi i shtetasve shqiptarë vazhdon të jetë më i larti nga i gjithë Ballkani Perëndimor.

Po ashtu në raport përmendet veprimtaria kriminale e grupeve shqiptare në vendet e Bashkimit Europian. Sipas Europolit shtetasit shqiptarë janë ndër më të dyshuarit për vepra të rënda penale, si dhe ata që mashtrojnë përmes dokumenteve apo pasaportave për të lëvizur në hapësirën Shengen.

Në raportin e Komisionit Europian kërkohet që Shqipëria të përmirësojë efektivitetin e hetimeve dhe përpjekjet për forcim të ligjit për të luftuar nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Një vend në raport zë edhe Ankti Normativ anti-KÇK që miratoi qeveria në janar të vitit 2020. Raporti thekson se tendenca e përgjithshme pozitive për sa i përket rekordit të rezultateve të hetimet, ndjekjet penale dhe dënimet në luftën kundër korrupsionit vazhduan, megjithëse dënimet përfundimtare për zyrtarët e nivelit të lartë mbeten të rralla.

Raporti thekson se edhe numri i dënimeve për pastrim parash mbetet i ulët dhe ka ende mungesë të një hetimi paralel sistematik mbi financimin e terrorizmit.

Tv Klan