Një debat që s’ndodhi kurrë po mbahet mend për fjalë që s’u thanë kurrë.

Më 2 mars, një kanal në Youtube i quajtur Voices of Change ngarkoi një video që shfaqte Keanu Reeves dhe Elon Musk në një debat televiziv për Inteligjencën Artificiale.

Videoja që zgjat mbi 60 minuta numëron mbi 54.000 shikime dhe ndezi një diskutim online.

Një muaj më vonë, më 9 prill, një përdorues gjerman i X postoi një shkrim të gjatë ku përshkruhej ‘debati’. Ai e paraqiti si të vërtetë. Më pas, një përdorues tjetër postoi një version në gjuhën angleze dhe kaq u desh që të merrte dhenë.

Në postimin e përkthyer shkruhet:

“Kur u pyet nëse IA do të tejkalojë krijimtarinë njerëzore, Elon Musk u përgjigj qartazi: ‘Herët ose vonë, po. Makineritë do të krijojnë art,kompozojnë muzikë dhe rrëfejnë histori më mirë se ne’. Kamera i drejtohet Keanu Reeves i cili qëndron paksa i heshtur, merr frymë thellë dhe thotë: ‘Por a do ta dijë një makineri sesi ndihesh kur të mungon diçka? Apo si është të krijosh diçka të bukur nga një moment dhimbjeje? Krijimtaria nuk rrjedh nga përllogaritja por nga përvoja, dhimbja, dashuria dhe shpresa’”.

Rrethanat ishin të përshtatshme. Pamja dukej  bindëse. Rrëfimi dukej i mirëmenduar. Por asgjë s’ishte e vërtetë, raporton Telegraph India.

Snopes, një website që kontrollon faktet, ka  konfirmuar se e gjithë videoja është false. Mjete si Sightengine, Deepfake Total dhe Hiya Deepfake Voice Detector u përdorën për të krijuar një iluzion që u përhap.

Nuk pati asnjë debat. Videoja tregoi një iluzion kompjuterik me avatarë të Elon Musk dhe Keanu Reeves  të gjeneruar nga IA, ashtu si dhe zëri dhe të shkruar nga një dorë e panjohur.

Nga ana tjetër, njerëzit përkrahin aktorin. Jo për atë që ai tha, por për atë që dikush e bëri të thoshte.

Në një koment shkruhet: “Mendim brilant, i thjeshtë, i pastër nga Keanu Reeves në një bisedë me Elon Musk për rolin e IA dhe krahasimin e mundësive të saj të tanishme dhe kufizimeve të dukshme. Komentet e tij heshtën studion”.

Nuk kishte asnjë dhomë. Nuk ra asnjë heshtje.

Kishte vetëm një video false të postuar në Youtube.  Në një epokë të fiksuar pas së vërtetës dhe teknologjisë, ishte një gënjeshtër e Inteligjencës Artificiale që i bëri njerëzit të dëgjojnë./tvklan.al