Shkrim nga Baton Haxhiu

Nga Shkodra në Korçë, nga Kosova në Çamëri, “Këngët e Shekullit” e kthejnë skenën në një vendtakim të kujtesës shqiptare. Një ide e Pandi Laços dhe një zgjedhje televizive që i japin traditës dinjitet.

Sandër Frangaj dhe Alba Gina kanë bërë një zgjedhje që unë e çmoj veçanërisht në televizionin shqiptar. Kanë refuzuar snobizmin elitar, atë bindje të sforcuar se për t’u dukur modern duhet të largohesh nga ajo që je. Në hapësirën që i kanë dhënë këngës dhe traditës në Klan, kanë treguar se publikut mund t’i ofrosh bukuri pa ia përçmuar kujtesën dhe se një televizion mund të ketë ambicie kulturore duke folur gjuhën e njerëzve të vet.

Po ta shihja këtë koncert televiziv në një ekran italian, do të mendoja se sa mirë dinë ta kthejnë këngën në kulturë dhe kujtesën në një takim mes brezave. Duke e parë në Klan, mendoj se Sandër Frangaj dhe Alba Gina kanë kuptuar diçka që snobizmi ynë elitar ende e ka të vështirë ta pranojë se një televizion fiton dinjitet kulturor edhe duke ia kthyer publikut me shije atë që është e tij.

Autori Pandi Laço dhe bashkëdrejtuesja Marsela Çibukaj në “Këngët e Shekullit”

E njohim mirë atë lloj snobizmi. E kemi parë te njerëzit që e përdorin mbiemrin si argument për vlerën e tyre, që historisë familjare i shtojnë fisnikëri të padëshmuara dhe që prejardhjen e të tjerëve e trajtojnë si mangësi. Për ta, shija dëshmohet duke u distancuar. Sa më larg këngës së shtëpisë, të folmes së prindërve dhe zakoneve të vendit nga kanë ardhur, aq më pranë e ndiejnë veten me një elitë që shpesh ekziston vetëm në rrëfimin e tyre.

Por kultura kërkon diçka më të vështirë. Kërkon ta njohësh atë që ke trashëguar, ta kuptosh dhe të dish çfarë t’i shtosh.

Këtë mendim ma rikthejnë “Këngët e shekullit” dhe mënyra si Pandi Laço i ka organizuar netët e tyre. Nata shkodrane. Nata korçare. Nata e Shqipërisë së Mesme. Nata e Kosovës, e Çamërisë dhe e këngës së shqiptarëve të Maqedonisë. Në pamje të parë janë emërtime që ndajnë një repertor. Duke i ndjekur, kupton se janë kapituj të një libri që shqiptarët e kanë shkruar me zë.

Kur Marsela Çibukaj dhe Pandi Laço e nisën mbrëmjen korçare duke kënduar bashkë, u ndje shpirti i këtij koncepti muzikor, ku edhe ata që e rrëfejnë historinë hyjnë brenda saj përmes këngës.

Sepse një krahinë ka edhe mënyrën e vet për ta shqiptuar dashurinë. Ka ritmin me të cilin e përballon dhimbjen, fjalën me të cilën e thërret të larguarin dhe heshtjen që lë mes dy vargjeve.

Në natën shkodrane, mjafton të të vijë ndër mend “Lule borë” dhe një qytet i tërë merr trajtë përmes një ndjenje. Kënga e lidhur me Shkodrën ka udhëtuar shumë më larg saj, duke ruajtur atë butësi me të cilën dashuria mund të thuhet pa e ngritur zërin. Në këtë botë muzikore, oborri, lulja, dritarja dhe rruga bëhen pjesë e një marrëdhënieje. Janë vende ku njeriu pret, shpreson, afrohet dhe nganjëherë largohet pa e thënë gjithçka.

Shkodra të mëson se finesa mund të jetë krejt popullore. Mund të jetojë në një fjalë të zakonshme, në një ngacmim me humor, në kujdesin për të mos e rënduar atë që po i thua tjetrit. Kënga e saj ka elegancën e një bisede që e kupton edhe ai që nuk e njeh historinë e qytetit.

Pastaj vjen Korça dhe ndryshon mënyra e afrimit. Serenata e vendos zërin përballë një dritareje. Dikush këndon dhe dikush, ndoshta, dëgjon. Mes tyre është nata, me gjithë mundësinë e një përgjigjeje dhe me gjithë frikën se ajo mund të mos vijë.

Në këtë përfytyrim të Korçës ka dashuri, por ka edhe një kulturë të të qenit bashkë. Zërat takohen dhe ndjenja personale bëhet e përbashkët. Edhe titulli “Dua më shumë Shqipërinë”, i lidhur me traditën korçare, e sjell atdheun brenda kësaj afërsie njerëzore. Vendi bëhet diçka që mund ta këndosh me të tjerët, sepse secili ka një arsye të vetën për ta dashur.

Kur nata i përket Shqipërisë së Mesme, rrëfimi afrohet me shtëpinë, me dasmën, me lagjen. Në shumë prej këtyre këngëve, dashuria ka guximin e fjalës së drejtpërdrejtë dhe zgjuarsinë e shakasë. Njeriu e shfaq dëshirën, e ngacmon tjetrin dhe e pranon se jeta ka edhe kënaqësi që nuk kanë nevojë për arsyetime të mëdha.

Kjo është një pjesë e kulturës sonë që meriton vëmendje. E kemi përshkruar aq shpesh shqiptarin përmes vuajtjes dhe qëndresës, sa ndonjëherë harrojmë t’i njohim të drejtën për hare. Kënga na kujton se njerëzit kanë jetuar edhe për t’u dashuruar, për t’u veshur bukur, për të kërcyer dhe për ta pritur mëngjesin mes të afërmve.

Për mua, nata e Kosovës sjell edhe një afërsi tjetër. Disa këngë i dëgjon bashkë me njerëzit që t’i kanë mësuar. Të kujtohet një dhomë, një radio, një festë familjare, një njeri që nuk jeton më. Kënga vazhdon, por brenda saj ke filluar të dëgjosh edhe mungesën.

Megjithatë, do ta varfëronim Kosovën nëse do ta përmblidhnim vetëm te kënga e qëndresës. Mjafton “Baresha” e Nexhmije Pagarushës për të dëgjuar një tjetër përmasë të saj, atë liri artistike që një zë i jashtëzakonshëm mund t’i japë një bote të njohur. Kosova ka kënduar trimërinë, por edhe bukurinë, dëshirën, punën dhe jetën e zakonshme. Përpara se të bëheshin kujtesë historike, këto ishin përvoja njerëzish.

Te Çamëria, dëgjimi merr një peshë tjetër. Për njerëzit e shpërngulur dhe pasardhësit e tyre, emri i një vendi brenda këngës mund të ruajë lidhjen me një shtëpi që nuk e kanë parë kurrë. Vargu kalon nga një brez te tjetri dhe bashkë me të kalon mënyra si shqiptohet një emër, si kujtohet një rrugë, si përfytyrohet kthimi.

Por edhe këtu duhet kujdes që dhimbja të mos e mbulojë gjithë jetën. Çamëria ka dashur, ka festuar, ka kënduar bukurinë dhe ka hedhur valle. T’i japësh vend në skenë do të thotë t’ia njohësh këtë plotësi. Një vend i kujtuar vetëm për tragjedinë rrezikon të humbasë njerëzit që jetonin aty përpara saj.

Ndërsa kënga e shqiptarëve të Maqedonisë të kujton se jeta kulturore shqiptare është zhvilluar në shumë qendra. Në Tetovë, Gostivar, Shkup, Kërçovë, Dibër e Strugë janë ruajtur e krijuar mënyra të të kënduarit, të të festuarit dhe të të treguarit jetën. Në to gjen dasmën dhe kurbetin, pritjen dhe ndarjen, qytetin dhe fshatin. Afërsia me këngët e krahinave të tjera nuk ua heq veçantinë. Pikërisht ndryshimi i bën të nevojshme në këtë rrëfim të përbashkët.

Kjo më duket merita e netëve të menduara nga Pandi. Secila hap një derë, pa pretenduar se pas asaj dere gjendet e gjithë historia e një vendi. Dhe, duke kaluar nga njëra te tjetra, publiku mëson ta njohë shqiptarin edhe përtej krahinës së vet.

Te “Histori me zhurmues”, Pandi e kërkonte jetën shqiptare brenda arkivave, ngjarjeve dhe kulturës së kohës. Te “Gjeniu i vogël”, në bashkëpunim me Bledar Laçon dhe Adi Hilën, vëmendja kalonte te zërat e rinj. Te “Këngët e shekullit”, këtë lidhje mes brezave e mban vetë kënga. Njëri e kujton, tjetri e zbulon dhe të dy mund ta këndojnë bashkë.

Pamje nga emisioni “Histori me Zhurmues” i autorit Pandi Laço

Prandaj rëndësi ka edhe mënyra si paraqitet. Kujdesi për tingullin, interpretimin, dritën dhe bisedën i tregon publikut se kjo trashëgimi meriton punë serioze. Tradita nuk mbrohet vetëm duke kërkuar respekt për të. Duhet ta sjellësh me një cilësi që e bën të dëshirueshme edhe për atë që po e dëgjon për herë të parë.

Këtu zgjedhja e Sandrit dhe Albës merr peshën e vet. Duke i dhënë hapësirë kësaj pune, i japin publikut mundësinë të takohet me prejardhjen e vet pa siklet dhe pa ndjesinë se po konsumon diçka të mbetur pas kohe. Një ekran modern mund të mbajë një këngë të vjetër me gjithë dinjitetin e saj.

“Këngët e shekullit” unë i shoh si një libër që hapet çdo natë në një vend tjetër. Në një faqe është një dritare shkodrane, në tjetrën një serenatë korçare. Më tej një dasmë, një largim, një pritje, një emër që familja nuk ka pranuar ta harrojë.

Dhe, në fund, e kupton pse disa këngë na prekin edhe kur nuk e dimë mirë prej nga vijnë. Dikush, shumë përpara nesh, ka gjetur fjalët për një ndjenjë që ne ende nuk dimë ta themi.

Pandi u ka dhënë këtyre fjalëve një skenë. Neve na ka dhënë një arsye për të dëgjuar njëri-tjetrin./ Albanian Post

/tvklan.al