Një avion i kompanisë ajrore Wizz Air, i cili po udhëtonte nga Londra drejt Sofjes, është detyruar të kryejë një ulje emergjente në Budapest, pas një kërcënimi për bombë gjatë fluturimit.

Pas marrjes së alarmit, autoritetet hungareze dërguan një avion luftarak të tipit Gripen për të shoqëruar avionin e pasagjerëve deri në Aeroportin Ndërkombëtar Liszt Ferenc të Budapestit.

Ministri hungarez i Mbrojtjes, Romulusz Ruszin-Szendis, konfirmoi se avioni luftarak u ngrit në ajër vetëm pak minuta pas marrjes së njoftimit për kërcënimin dhe shoqëroi fluturimin e Wizz Air deri në uljen e sigurt në aeroport.

Sipas kompanisë ajrore, pas uljes avioni u drejtua në një zonë të posaçme, ku autoritetet kryen kontrolle të detajuara sigurie si në mjetin fluturues, ashtu edhe te pasagjerët.

Pas përfundimit të kontrolleve, Wizz Air konfirmoi se nuk u gjet asgjë e dyshimtë dhe se avioni ishte gati të vijonte udhëtimin drejt destinacionit përfundimtar.

Sipas të dhënave të faqes FlightAware, fluturimi me numër 4302 ishte nisur nga aeroporti London Luton në orën 08:33 GMT dhe pritej të mbërrinte në Sofje në orën 11:25 GMT. Megjithatë, për shkak të kërcënimit, avioni u ul në Budapest në orën 11:09 GMT.

Pas përfundimit të eskortës, avioni luftarak hungarez u kthye në bazën e tij, ndërsa policia mori përsipër menaxhimin e situatës.

Në një deklaratë zyrtare, Wizz Air bëri të ditur se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet dhe theksoi se siguria e pasagjerëve dhe e ekuipazhit mbetet përparësia kryesore e kompanisë.

/tvklan.al