Alarm i ri për ndikimin e Inteligjencës Artificiale. Këtë herë vjen nga Kina. Ministri i Sigurisë së Shtetit, Chen Yixin, ka paralajmëruar se modelet amerikane më të avancuara, përfshirë ato të zhvilluara nga Anthropic dhe OpenAI, mund të paraqesin rreziqe të mëdha për infrastrukturat kritike informatike të vendit.
Një “kërcënim për sigurinë e shtetit”, që mund të vijë nga “forca armiqësore” të afta të krijojnë “rreziqe të drejtpërdrejta për sigurinë politike, institucionale dhe ideologjike të Kinës”. Pekini dëshiron të shmangë “humbjen e kontrollit” mbi sistemet e avancuara të IA. Rrezik që duhet parandaluar përmes mbikëqyrjes njerëzore, mjeteve të ndërhyrjes dhe mundësisë për të bllokuar sjelljet e papërshtatshme të agjentëve autonomë.
Gara për primatin e IA mes Pekinit dhe Washington-it
Alarmi vjen në ditë debati të hapur mbi sigurinë e IA dhe lidhet ngushtë me konkurrencën teknologjike mes dy superfuqive. SHBA-të aktualisht kanë zhvilluar teknologjitë më të avancuara, por ritmi i garës është aq i shpejtë sa gjithçka mund të ndryshojë në pak kohë.
Akuzat e Kinës: Anthropic është armiqësore
Gazeta Global Times, pranë Partisë Komuniste Kineze, e ka cilësuar linjën e Dario Amodeit “të papërshtatshme”, “armiqësore” dhe “pa baza”, duke argumentuar se propozimet e tij ngatërrojnë sigurinë e IA me konkurrencën industriale dhe interesat gjeopolitike. Sipas tyre, Anthropic ka interes tregtar ta paraqesë IA si gjithnjë e më të rrezikshme, për të forcuar barrierat e hyrjes dhe vlerën strategjike të laboratorëve të mëdhenj që zhvillojnë modele të mbyllura.
Trump dhe Palantir kundër frenimit të IA
Presidenti amerikan Donald Trump, nga klubi i tij i golfit në Irlandë, ka refuzuar thirrjet për ngadalësimin e zhvillimit të IA, duke i cilësuar skenarët pesimistë si argumente të “forcave shumë negative”. Ai ka theksuar se SHBA-të duhet të ruajnë udhëheqjen në sektor. Pak më vonë, Alex Karp, CEO i Palantir, ka shtuar: “Nëse nuk do të kishim kundërshtarë, do të isha shumë pro pezullimit të plotë të kësaj teknologjie, por i kemi.”
Dilema e madhe: IA është bërë tepër qendrore për t’u ndalur?
Karp ka shpjeguar se një pauzë e njëanshme nuk do të ishte thjesht e kujdesshme, por një dorëzim strategjik ndaj rivalëve. Në këtë kuadër, një moratorium do të ishte i besueshëm vetëm nëse do të ishte i përbashkët dhe i verifikueshëm, gjë që rivaliteti SHBA-Kinë e bën të vështirë. Sam Altman, CEO i OpenAI, ka propozuar madje një Nobel për paqen për Trump dhe Xi Jinping nëse arrijnë një marrëveshje në samitin e ardhshëm.
Tregjet nën presion: bien vlerësimet e gjigantëve të IA
Debati ka goditur edhe tregjet. Vetëm në dy ditët e fundit, OpenAI dhe Anthropic kanë humbur rreth 300 miliardë në vlerësim potencial përpara listimit në Wall Street. Investitorët po shqetësohen jo vetëm për ndikimin e IA në ekonomi, por edhe për atë se kush do të arrijë të kthejë investimet gjigante në çipa, energji dhe infrastrukturë në fitime reale.
/tvklan.al












Botërori 2026 
