Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për të kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të kësaj partie, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë ditës së djeshme hodhi poshtë ankesën e tij.

Rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga KQZ-ja hapet në rast se edhe Gjykata Supreme hedh poshtë ankesën e Haxhiut.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se do të fillojë komunikimin me partitë e tjera, posa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave lidhur me procesin zgjedhor, para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Nga këto zgjedhje, Vetëvendosje ka fituar 53 mandate, PDK 20, LDK 18 dhe AAK 7 mandate.

/tvklan.al