Aktorja Mariana Kondi ka ndarë disa nga momentet më të veçanta nga eksperienca e saj si prezantuese në edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Pavarur në Kuçovë (Kuçova International Independent Film Festival). E ftuar në emisionin “Rudina”, këtë të martë, më 10 nëntor, ajo tregoi se, pavarësisht viteve të shumta në skenë, moderimi i këtij aktiviteti i kishte shkaktuar emocione të veçanta.

“Kisha shumë siklet, tërë ditën! Kur dola, këmbët m’u morën, që kisha shumë vite në skenë edhe kur vjen puna prapë ngaqë ishte një gjë e re. Ai tapeti i kuq të provokon shumë edhe ai të krijon një gjendje tjetër.”

Duke kujtuar atmosferën e festivalit, Mariana tregoi edhe një episod mjaft komik me aktorin dhe regjisorin Mevlan Shanaj, të cilin e cilësoi me humor si “gërnjar”, për shkak të sugjerimeve që ai i bënte gjatë aktivitetit. Ajo vendosi të tregonte një histori personale për të thyer heshtjen dhe për të krijuar më shumë humor mes të pranishmëve gjatë festivalit.

“Tregova një histori që më ndodhi mua në një vend. Në një ambient të bukur të një resorti që u hap në Durrës ishin të ftuar të gjithë artistët. Dhe unë nuk ndihesha mirë, isha pa qejf. O Zot i madh, nuk e ke idenë! Ika me vrap se po më vinte për të vjellë. Edhe unë ashtu siç isha i thashë atij të recepsionit: ‘Të lutem, një çelës të Benit, një regjisor i televizionit dhe menaxherit. Numrin e Benit’, i thashë.

Edhe i hipa ato shkallët,me vrap. Kur hyra në dhomë, sa pashë dhomën, u qetësova. Kapa një divan aty dhe u mbulova. Bëja dhe këmbët rrotull dhe thoja: ‘Oh… oh, Ben!’. Sepse u lirova, Rudina, rrija kështu dhe thoja unë: ‘Oh, Beni… oh, Beni!

Kur hap sytë, shoh Mevlan Shanajn mbi kokën time! Këtë e tregova atje. Të qeshur me të madhe, qeshte dhe Mevlani!

Edhe shoh unë kështu: ‘Oh, Beni…’ dhe unë: ‘Ua! Ua! Dhe Mevlani, siç ishte kështu, ia bëri: ‘Ku është Beni?’ Edhe unë: ‘Tek dollapi’, i thashë!

Kur pashë një kokë tjetër, ishte Natasha, e shoqja e Mevlanit! Unë gabimisht kisha hyrë në dhomën e Mevlanit!, rrëfeu Mariana, duke shkaktuar të qeshura në studio.

Aktorja tregoi se ky episod u kthye në një nga momentet më argëtuese të bisedës dhe se pikërisht humori e spontaniteti ndihmojnë për të krijuar një atmosferë të veçantë mes artistëve dhe publikut.

/tvklan.al