Financat publike shqiptare, pritet ti nënshtrohen një transformimi të rëndësishëm strukturor. Qeveria ka gati projektligjin për krijimin e Këshillit Fiskal, si një organ të pavarur mbikëqyrës.

Ky institucion i ri synon të forcojë disiplinën buxhetore dhe të rrisë transparencën në menaxhimin e parave të taksapaguesve.

“Projektligji synon krijimin, organizimin, funksionimin dhe përcaktimin e përgjegjësive të Këshillit Fiskal të Shqipërisë, si person juridik publik i pavarur, me qëllim forcimin e disiplinës fiskale, transparencës dhe qëndrueshmërisë së financave publike, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave.

Ndryshe nga organet ekzistuese, Këshilli Fiskal do të ketë rol të pastër monitorues dhe nuk do të hartojë politika ekzekutive.

Ai do të jetë i përbërë nga tre anëtarë me mandat gjashtëvjeçar, të cilët do të raportojnë drejtpërdrejt në Kuvend.

“Çdo dokument buxhetor i Ministrisë së Financave do të kalojë për filtrim te Këshilli Fiskal, i cili ka 10 ditë kohë për të dhënë opinionin e tij. Rëndësia e këtij mekanizmi qëndron te detyrimi ligjor, nëse qeveria vendos të mos i marrë parasysh rekomandimet ose vlerësimet e Këshillit, ajo është e detyruar të argumentojë publikisht arsyet pse nuk i reflektoi ato”, thuhet në njoftim.

Fatura financiare për ngritjen e kësaj strukture llogaritet në 39 milionë lekë, të cilat do të mbulojnë pagat e personelit dhe shpenzimet operative.

Projektligji pritet të hyjë në fuqi pas votimit në Kuvend, duke hapur një kapitull të ri kontrolli mbi buxhetin e shtetit.

/tvklan.al