Pep Guardiola këmbëngul se Jack Grealish ka nevojë për të luajtur dhe se është në të mirën e tij që të largohet nga Manchester City.

Trajneri i “Citizens” vendosi të mos e grumbullonte mesfushorin anglez me tipare sulmuese në listën me 27 lojtarë për Kupën e Botës për Klube, pas një sezoni ku ai u aktivizua vetëm 7 herë si titullar.

Napoli është ndër klubet që po monitorojnë situatën e Grealish, i cili pritet të largohet dy vite përpara përfundimit të kontratës së tij, me një pagë prej 350 mijë euro në javë.

City është i gatshëm të dëgjojë oferta huazimi nëse nuk gjen një blerës të interesuar për futbollistin që u transferua nga Aston Villa për rreth 120 milionë euro në vitin 2021.

“Jack është një futbollist i jashtëzakonshëm! Arsyeja e vetme që nuk luajti sezonin e shkuar ishte, sigurisht, vendimi im. Tani kemi vendosur se ai duhet të luajë! Klubi ishte i ndershëm me të dhe ai ishte i ndershëm me ne. Ka respekt dhe dashuri për ekipin. Nuk ka luajtur mjaftueshëm dhe ka nevojë të aktivizohet rregullisht, duke ndier emocionin e të luajturit çdo tri ditë. Nuk e di nëse e ardhmja e tij do të jetë në Manchester. Tani për tani është futbollist i City-t. Nëse duhet të ribashkohet me ne, atëherë do ta bëjë,” deklaroi Guardiola.

Ndërkohë, trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, i ka bërë të qartë lojtarit se duhet të luajë më shumë për të qenë pjesë e planeve të tij, pasi nuk e ka grumbulluar në dy thirrjet e fundit me kombëtaren.

Grealish, 29 vjeç, ka bërë 39 paraqitje me Anglinë dhe e përjetoi keq mosgrumbullimin në Euro 2024 nga ish-trajneri Gareth Southgate.

/tvklan.al