Këshilli Bashkiak i Tiranës i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorisë së Burgjeve me kërkesë për të lejuar kryebashkiakun Erion Veliaj, të marrë pjesë në mbledhjen e datës 29 shtator, ku do të shqyrtohet projektligji për reformën administrativo- territoriale.

Në shkresë, sqarohet se në cilësinë e kryetarit, Veliaj duhet të mbajë një qëndrim mbi të.

“Këshilli Bashkiak do të mblidhet ditën e martë, datë 29 shtator 2026, ora 15:00, në sallën e Këshillit Bashkiak, për shqyrtimin, mes të tjerave, edhe të pikës 11 të rendit të ditës, ku detyrimi për t’u shprehur me një qëndrim zyrtar ndaj projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, i takon si Kryetarit të Bashkisë Tiranë, ashtu edhe Këshillit Bashkiak të Tiranës”, thuhet në njoftimin e këshillit bashkiak të Tiranës.

Këshilli i ofron SPAK dhe Burgjeve plotësimin e çdo kërkese sigurie.

“Referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese datë 03.11.2025, por edhe duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, ju kërkojmë që, nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet: lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike. Ose, nëse kjo nuk është e mundur, mundësimi i pjesëmarrjes së tij nëpërmjet një modaliteti të përshtatshëm komunikimi online”, thuhet në njoftim.

Veliaj po qëndron në paraburgimin e Durrësit, që prej shkurtit të 2025 dhe po gjykohet nga Gjykata e Posaçme për disa akuza, mes të cilave korrupsioni e pastrimi i parave. Vepra penale të cilat ai mohon t’i ketë kryer.

/tvklan.al