Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për largimin e Ilir Prodës nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Vendimi u mor pas propozimit të paraqitur nga Ministria e Brendshme dhe është botuar menjëherë në Fletoren Zyrtare.

Me hyrjen në fuqi të vendimit, Ministria e Brendshme pritet të hapë menjëherë garën për drejtorin e ri.

Ligji parashikon që kandidati duhet të plotësojë kriteret e karrierës policore, integritetit dhe sigurisë, ndërsa emërimi final bëhet sërish me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kandidatët duhet të kenë gradën “Drejtues i lartë” ose “Drejtues i parë” dhe, pas emërimit, marrin gradën “Drejtues madhor”. Duhet të kenë vetëm nënshtetësinë shqiptare; të kenë të paktën 15 vjet përvojë në polici, nga të cilat të paktën 10 vjet në pozita të larta drejtuese në strukturat e Policisë së Shtetit; të kenë integritet dhe figurë të pastër morale; të mos kenë qenë të dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë; të mos kenë masa për shkelje të rënda disiplinore brenda 3 viteve të fundit dhe të mos kenë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit qëndron në detyrë për një periudhë prej 5 vjetësh, me të drejtë riemërimi edhe për 5 vjet të tjera. Ilir Proda qëndroi në këtë detyrë 17 muaj.

Ai u largua pas protestës së të shtunës, për shkak se nuk arriti të garantonte rendin dhe sigurinë, pasi protestuesit e opozitës arritën të hynin në zemër të qytetit, në zonën e ish-Bllokut, dhe goditën me molotov vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, brenda së cilës ndodheshin disa artistë të huaj.

Deri në zgjedhjen e drejtorit të ri, në detyrë është komanduar nga ministrja e Brendshme zëvendësdrejtori Sokol Bizhga.

Klan News

/tvklan.al