Këshilli i Europës pret ftesën e qeverisë shqiptare që të monitorojë zgjedhjet lokale të 9 majit. Në intervistën për Klan News, raporterët Knape e Schumacher u shprehën se i takon qeverisë së Shqipërisë të vendosë se çfarë dëshiron të bëjë, nëse dëshiron të ndryshojë diçka duke u bazuar në rekomandimet e tyre për reformën administrativo-territoriale.
“Ne do t’i vëzhgojmë zgjedhjet vendore në Shqipëri vitin e ardhshëm, nëse na ftojnë. Nëse ftohemi, ka shumë gjasa që të jemi të pranishëm, por duhet të kemi një ftesë. Ne nuk shkojmë në vendet anëtare pa ftesë. Dhe Kongresi i Këshillit të Evropës mbetet në krah të shteteve anëtare; ndaj, tani i takon qeverisë së Shqipërisë të vendosë se çfarë dëshiron të bëjë, nëse dëshiron të ndryshojë diçka duke u bazuar në rekomandimet tona për reformën administrativo-territoriale”, deklaroi Sören Schumacher, raporter i KiE.
“Thelbi i çështjes është që komunitetet vendore dhe bashkitë duhet të jenë në gjendje ta kryejnë punën e tyre duke pasur burimet financiare dhe kompetencat e nevojshme.
Ne nuk mund të ndërhyjmë në vendimin e qeverisë suaj, por duhet që të keni parasysh që shqiptarët e kanë ratifikuar Kartën e Vetëqeverisjes Vendore dhe Rajonale.
Vërejmë se në disa aspekte, ata mund të vepronin në përputhje me Kartën që kanë ratifikuar. Ka pasur mangësi jo vetëm për procesin e konsultimit lidhur me bashkimin e njësive vendore, por edhe në vendimmarrjen e qeverisë që ndikon në nivelin vendor, si dhe në atë rajonal”, tha Anders Knape, raporter i KiE.
Raporterët i referohen edhe rëndësisë që ka pushteti lokal në kuadër të integrimit evropian.
“Shqipëria është në rrugën drejt Bashkimit Evropian, i cili po ashtu i kushton rëndësi të madhe një demokracie vendore të fortë e të konsoliduar.
Raporti ynë mund të shërbejë si ndihmesë nëse qeveria shqiptare vendos t’i marrë parasysh disa nga rekomandimet dhe të punojë mbi to, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Kemi vizituar disa bashki, përfshirë kryeqytetin, dhe vërehen dallime në funksionimin e demokracisë vendore, si dhe në mënyrën se si punojnë kryetarët e bashkive. Kjo është një çështje se sa pranë qytetarëve janë politikanët”, pohoi Schumacher.
“Nga këndvështrimi ynë, nuk është se themi që vendi duhet të ketë 100 apo 1000 njësi të qeverisjes vendore. Ajo që theksojmë është se, nëse ndryshohet struktura, nëse ndryshohet gjeografia, nëse bëhen bashkime apo ndarje, atëherë duhet të ketë një proces konsultimi. Kjo përcaktohet në kapitullin e pestë të Kartës së Vetëqeverisjes Vendore dhe Rajonale. Procesi i konsultimit me qytetarët dhe autoritetet vendore nuk ka qenë i mjaftueshëm”, u shpreh Knape.
Pjesa më thelbësore është ndarja e fondeve për vetëqeverisjen vendore dhe kompetencat e pushtetit lokal.
“Disa përfaqësues të qeverisjes vendore kanë shprehur mendimin se shpërndarja e fondeve për projekte nuk është mjaftueshëm e drejtë. Është më e lehtë të përfitosh fonde nga qeveria nëse je një kryetar bashkie që i përket të njëjtës parti si ajo në pushtet, sesa nëse përfaqëson një parti opozitare, qoftë si kryetar bashkie apo si anëtar këshilli, dhe kërkon fonde për projekte të ndryshme. Sigurisht, kjo është një çështje me rëndësi, pasi duhet të ketë mundësi të barabarta për sigurimin e burimeve financiare nga qeveria qendrore për autoritetet vendore.
Nuk duhet të varet nga fakti nëse autoritetet vendore drejtohen nga partitë në pushtet apo nga partitë opozitare; shpërndarja duhet të jetë e drejtë. Kjo është shumë e rëndësishme nga këndvështrimi ynë”, tha ndër të tjera Schumacher.
“Ajo që kemi dashur të theksojmë në raport është se shpërndarja duhet të jetë e drejtë; duhet të ketë mundësi të barabarta, pavarësisht shumicës politike që ekziston në këshillin përkatës. Pra, ky është një aspekt, por në shumë shtete, përfshirë tashmë edhe Shqipërinë.
Vërejmë gjithashtu nevojën për barazi mes zonave, veçanërisht në zonat rurale ku aktiviteti ekonomik është i kufizuar, krahasuar me rajonet që shënojnë përparim të ndjeshëm, pra, shtrohet edhe çështja se si të mbështeten bashkitë që kanë nevojë për zhvillim. Bëhet fjalë, pra, për një çështje barazimi, e cila duhet të rregullohet me rregulla të qarta dhe të drejta për të gjithë, pavarësisht përkatësisë politike”, theksoi Schumacher.
Shqipëria mban zgjedhjet lokale më datë 9 nëntor, ndërkohë që ende mbeten mosmarrëveshjet mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me ndryshimet e fundit që u miratuan në parlament në kuadër të reformës administrative-territoriale.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 