Bravo rikthehet në Kombëtare, pritet derbi zikaltër mes Sanchez dhe Asllani

Mungojnë emrat ikonë, por Kili nuk kursen yjet për miqësoren me Shqipërinë. Kombëtarja amerikano-jugore ka zbuluar listën e të grumbulluarve për këtë test, që do të luhet në stadiumin Tardini të Parmës.

Për sfidën e 22 Marsit, tekniku Ricardo Gareca ka thirrur 24 futbollistëve, ku bien në sy emra tepër interesant.

Portieri, Claudio Bravo është rikthimi i madh. Eksperienca e 40-vjeçarit, ku ka luajtur 145 ndeshje, shihet nga Gareca si garanci për Kilin e së ardhmes.

Ndërkaq, në mesin e futbollistëve të njohur janë Alexis Sanchez, shok skuadre me Kristjan Asllanin tek Interi, por që këtë herë pritet të sfidohen në fushë.

Ndërsa, në listën e mungesave gjenden futbollistë si Gari Medel dhe Arturo Vidal, të cilët nuk janë preferuar për t’u thirrur në këtë grumbullim. Sfida do të luhet në Parma më 22 mMars dhe do të transmetohet falas në televizionin kombëtar “Klan”.

Kjo përballje do të jetë e para në historinë e dy kombëtareve. Një 90 minutësh që do t’i shërbejë Sylvinhos për të parë gjendjen e futbollistëve kuqezi, me brazilianin që pritet që në orët e ardhshme të zbulojë edhe listën e të grumbulluarve.

Përpos miqësores me Kilin, kuqezinjtë do luajnë edhe një tjetër sfidë, atë të 25 Marsit ndaj Suedisë.

Klan News