Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është takuar me familjet e ushtarëve të rënë duke luftuar për Rusinë kundër Ukrainës dhe u ka shprehur ngushëllimet e tij për “dhimbjen e padurueshme”.

Peniani nuk ka konfirmuar numrin e ushtarëve të tij të rënë duke luftuar për Rusinë, megjithëse Seuli vlerëson se janë rreth 600 dhe me mijëra të plagosur. Agjencitë e inteligjencës së Koresë së Jugut dhe ato perëndimore kanë deklaruar se Veriu ka dërguar mbi 10 mijë ushtarë në Rusi në vitin 2024, kryesisht në rajonin e Kurskut, së bashku me predha artilerie, raketa dhe sisteme raketore me rreze të gjatë veprimi.

Kim mbajti një fjalim për familjet të premten, raporton agjencia zyrtare e lajmeve Korean Central News Agency (KCNA), pasi javën e kaluar kishte takuar vetëm disa prej tyre në një tjetër ceremoni publike të dhënies së dekoratave për ushtarët.

“Kam menduar shumë për familjet e dëshmorëve të tjerë që nuk ishin të pranishëm. Prandaj, organizova këtë takim sepse doja të takoja dhe të ngushëlloja familjet në zi të të gjithë heronjve dhe të lehtësoja qoftë edhe pak dhimbjen dhe ankthin e tyre”, tha Kim në fjalimin e tij, sipas KCNA-së.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut u zotua të ngrejë një monument në kryeqytet dhe një rrugë të re për familjet në zi, ndërsa shteti do të ofrojë mbështetje të plotë për fëmijët e të rënëve. “Më dhemb zemra edhe më shumë kur shoh ata fëmijë,” tha ai. “Unë, shteti ynë dhe ushtria jonë do të marrim përgjegjësinë e plotë për ta dhe do t’i stërvisim në mënyrë shembullore, duke i bërë luftëtarë të vendosur dhe të guximshëm si etërit e tyre,” shtoi ai.

Koreja e Veriut ka konfirmuar se ka vendosur trupa për të mbështetur luftën ruse në Ukrainë vetëm në prill dhe ka pranuar se disa prej ushtarëve të saj janë vrarë në luftime./tvklan.al