Kreu i opozitës, Lulzim Basha, mungoi në ceremoninë e nisjes së stërvitjes ushtarake Defender Europe 2021. Për këtë është pyetur ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, gjatë një interviste në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Kim e pyetur nga gazetari Blendi Fevziu tha se nuk kishte informacion pasi protokolli ishte bërë nga Ministria e Mbrojtjes, por po të ishte në dorën e saj do e kishte ftuar patjetër.

Blendi Fevziu: A jeni e kënaqur me rolin që luan Shqipëria brenda NATO-s?

Ambasadorja Yuri Kim: Po. Shqipëria është një aleate absolutisht besnike dhe e aftë dhe ajo që duam është të ndërtojmë mbi këtë. E para që duhet të bëjmë është, si çdo aleat tjetër, Shqipëria duhet t’i kushtojë 2% të PBB të saj mbrojtjes deri në vitin 2024. Kjo është një marrëveshje që e bënë të gjithë aleatët në vitin 2014 në Uells. Shqipëria është në rrugë të mbarë për këtë. E dyta është që do të rrisim stërvitjet dhe trajnimet tona dypalëshe dhe shumëpalëshe me forcat shqiptare në mënyrë që të rrisni aftësitë. Mendoj se e gjitha është në një trajektore pozitive. 

Blendi Fevziu: Ambasadore, kam parë në mediat sociale sidomos shumë komente se pse Z. Basha nuk u ftua në ceremoni.

Ambasadorja Yuri Kim: Nuk e di. Po të kishte qenë në dorën time, do ta kisha ftuar, patjetër. Por, kjo ishte… nuk e kontrolloj listën e të ftuarve…

Blendi Fevziu: Protokolli… Nuk u organizua nga ambasada amerikane?

Ambasadorja Yuri Kim: Jo, u organizua nga Ministria e Mbrojtjes./tvklan.al