Pamundësia e Shteteve të Bashkuara për të sprapsur me efikasitet fuqinë në rritje ushtarake të Kinës, po e nxit Pekinin të përshpejtojë planet për ta ribërë rendin botëror siç dëshiron vetë, u tha ligjvënësve të martën një komandant i lartë ushtarak amerikan.

Shqetësimet për sjelljen agresive të Kinës nuk janë të reja. Zyrtarët ushtarakë amerikanë dhe të shërbimeve të zbulimit kanë paralajmëruar vazhdimisht për investimet ushtarake kineze, dizinformimin, spiunazhin dhe operacionet kibernetike, gjatë presidencës Trump. Por paralajmërimet janë bërë edhe më urgjente me Presidentin aktual Joe Biden, sekretari i mbrojtjes i të cilit e ka quajtur vazhdimisht Kinën “rrezikun që po afrohet më shumë”.

“Shqetësohem se po përshpejtojnë ambiciet e tyre për të tejkaluar Shtetet e Bashkuara dhe rolin tonë udhëheqës në rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, tha Admirali Philip Davidson, kreu i Komandës Amerikane për Indo-Paqësorin, gjatë dëshmisë në Komisionin e Senatit për Forcat e Armatosura.

“E kanë thënë prej kohësh se dëshirojnë ta arrijnë këtë gjë deri në vitin 2050”, tha ai. “Kam shqetësimin se po e zhvendosin më afër këtë objektiv”.

Admirali Davidson, i cili pritet të dalë në pension këtë vit, është munduar gjatë javëve të fundit të sjellë më shumë vëmendje tek rreziku nga një Kinë gjithnjë e më e guximshme.

Të martën, ai e quajti Kinën “rrezikun më të madh strategjik afatgjatë për sigurinë në shekullin e 21-të” dhe përsëriti paralajmërimet e mëparshme për një zbehje të “parandalimit konvencional” ndaj Pekinit.

“Balanca ushtarake në Indo-Paqësor po bëhet më e disfavorshme për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë”, tha Admirali Davidson. “Me këtë disbalancë, po krijojmë rrezikun që Kina mund të inkurajohet ta ndryshojë status quo-në, përpara se forcat tona të jenë në gjendje të reagojnë me efikasitet”.

Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se ushtria e Kinës në disa raste po zëvendëson kombinimin e stimujve ekonomikë dhe masave shtrënguese që dikur përcaktonin qasjen e Pekinit në konkurrencën e fuqive globale.

“Do të shihni një ushtri kineze shumë globale, që zhvillon misione për të ndërhyrë kudo që ata mendojnë se interesat e Kinës janë të rrezikuara”, tha oficeri i lartë i zbulimit i Komandës Amerikane në Indo-Paqësor, Admirali Michael Studeman. gjatë një konference virtuale javën e kaluar.

Dhe zyrtarët kanë frikë se tendenca do të rritet ndërsa Kina vazhdon të zvogëlojë disnivelin në kapacitete krahasuar me ushtrinë amerikane.

Kina pritet të rrisë shpenzimet e saj të mbrojtjes me 6.8% në vitin e ardhshëm fiskal. Disa parashikime madje thonë se deri në vitin 2025 marina kineze do të jetë në gjendje t’ua kalojë Shteteve të Bashkuara në Indo-Paqësor, nga një avantazh 3 me 1 në aeroplanmbajtëse, deri në një avantazh prej 54 me 6 në anijet luftarake moderne.

Raketat balistike ndërkontinentale kineze DF-41 gjatë një parade në sheshin Tiananmen
Raketat balistike ndërkontinentale kineze DF-41 gjatë një parade në sheshin Tiananmen

Zyrtarët dhe ligjvënësit gjithashtu kanë shprehur shqetësim në lidhje me aftësitë bërthamore në rritje të Kinës.

Agjencia e Zbulimit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara ka thënë se Kina ka të ngjarë që “të paktën të dyfishojë sasinë e rezervave të saj bërthamore” gjatë dekadës së ardhshme. Që atëherë, zyrtarët e lartë në Komandën Strategjike Amerikane kanë paralajmëruar se ky vlerësim mund të jetë konservativ dhe se Pekini mund të trefishojë ose edhe katërfishojë rezervat e armëve bërthamore në atë kornizë kohore.

Admirali Davidson tha se janë të gjithë treguesit se nëse Kina beson se ka një avantazh, ajo do ta përdorë atë.

“Unë i shoh ata duke zhvilluar sisteme, aftësi dhe një përgatitje që tregon se u intereson agresioni”, tha ai, duke përmendur se si Pekini po merret tashmë me Hong Kongun, Indinë, ujgurët në Xinjiang dhe me Tibetin.

Admirali Davidson paralajmëroi se Tajvanit dhe Guamit mund t’iu vijë radha në vijim.

“Tajvani është qartë një nga ambiciet e tyre”, tha ai. “Unë mendoj se kërcënimi do të manifestohet gjatë kësaj dekade. Në fakt, gjatë gjashtë viteve të ardhshme”.

Për sa i përket Guamit, Admirali Davidson u tha ligjvënësve se territori ishull i Shteteve të Bashkuara “është sot një objektiv”.

“Forcat ajrore të Kinës kanë nxjerrë një video propagandistike që tregon avionët e tyre bombardues H-6 duke sulmuar Bazën e Forcave Ajrore Anderson në Guam dhe e kanë shpërndarë atë publikisht”, paralajmëroi ai. “Ne po shohim misione detare të anijeve dhe nëndetëseve kineze që lundrojnë përqark Guamit dhe Komonuelthit të Marianave Veriore. Dhe sigurisht, ne shohim asimetrinë e madhe të forcës së raketave balistike shumë të madhe që ka Kina”.

Admirali Davidson u kërkoi ligjvënësve të mbështesin shitjet e vazhdueshme të armëve për Tajvanin dhe kërkoi instalimin e një strukture mbrojtëse me raketa Aegis Ashore në Guam.

Sistemi prej 1,6 miliardë dollarësh është një nga përparësitë kryesore në një plan pesë-vjeçar prej 27,3 miliardë dollarësh për Iniciativën e Uashingtonit për Parandalimin në Paqësor (PDI), një përpjekje që u përfshi si pjesë e Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) të vitit të kaluar.

“Ruajtja e ritmit në mbështetje të PDI-së do të jetë një fokus kryesor i këtij komisioni ndërsa ne fillojmë punën me NDAA-në e këtij viti”, tha Kryetari i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, Jack Reed.

Zyrtarët dhe ligjvënësit ushtarakë amerikanë gjithashtu po i vendosin disa nga shpresat e tyre tek diplomacia dhe përmirësimi i marrëdhënieve me aleatët kryesorë për të kundërshtuar me sukses Kinën.

Admirali Davidson tha se krijimi i të ashtuquajturës “Katërshe”, ku marrin pjesë Shtetet e Bashkuara, India, Japonia dhe Australia, mund të jetë një shenjë e mirë për përpjekjet për të sprapsur Pekinin.

“Unë jam mjaft i inkurajuar nga fuqia e mundshme e një organizate si Katërshja”, tha ai.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki u tha gazetarëve të martën se udhëheqësit e Katërshes do të takohen virtualisht të premten, me bisedime të përqendruara në pandeminë e COVID-19ës, bashkëpunimin ekonomik dhe ndryshimet klimatike./VOA