Presidenti i Kinës, Xi Jinping, deklaroi në hapjen e Konferencës Botërore për Inteligjencën Artificiale (WAIC), e mbajtur më 17 korrik në Shangai, se zhvillimi i inteligjencës artificiale nuk duhet të jetë “një shfaqje e një vendi të vetëm”, por “një simfoni e bashkëpunimit ndërkombëtar”.

WAIC është konferenca më e madhe vjetore e Kinës për inteligjencën artificiale dhe mbledh përfaqësues të qeverive, kompanive dhe qendrave kërkimore nga e gjithë bota.

Në edicionin e këtij viti marrin pjesë mbi 1 100 kompani dhe rreth 1 400 të ftuar, përfshirë liderët e Kazakistanit, Kamboxhias, Tajlandës dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.

Konferenca do të zgjasë deri më 20 korrik.

Xi theksoi se zhvillimi dhe qeverisja e inteligjencës artificiale duhet të jenë përgjegjësi globale dhe jo të kontrollohen nga një shtet i vetëm. Ai kritikoi gjithashtu zgjerimin e tepruar të konceptit të sigurisë kombëtare në fushën e AI-së, duke thënë se vendet nuk duhet të vendosin interesat e tyre të sigurisë mbi ato të të tjerëve.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë rivaliteti të fortë teknologjik mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Vitet e fundit, SHBA-të dhe Bashkimi Europian kanë vendosur kufizime për eksportin e teknologjive të avancuara drejt Kinës, me arsyetimin e mbrojtjes së sigurisë kombëtare. Megjithatë, këto masa kanë nxitur Kinën të investojë më shumë në zhvillimin e teknologjive vendase.

Bashkëpunim me vendet në zhvillim

Gjatë fjalës së tij, Xi njoftoi se Kina do të forcojë bashkëpunimin me organizata të vendeve në zhvillim, si ASEAN, Liga Arabe, Bashkimi Afrikan, Komuniteti i Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait dhe vendet e BRICS.

Ai premtoi gjithashtu se 30 shtete do të kenë akses në një sistem kinez të bazuar në inteligjencën artificiale për parashikimin e motit dhe paralajmërimin e hershëm për fatkeqësitë natyrore. Përveç kësaj, Kina do të ofrojë 5 mijë vende trajnimi për AI për vendet në zhvillim gjatë 5 viteve të ardhshme.

Para konferencës, 29 vende, mes tyre Rusia, Pakistani dhe Kazakistani, nënshkruan një marrëveshje me Kinën për krijimin e një Organizate Botërore për Bashkëpunimin në Inteligjencën Artificiale, me seli në Shangai. Sipas Pekinit, kjo nismë synon të krijojë një alternativë ndaj aleancës së udhëhequr nga SHBA-të në këtë sektor.

Xi tha se këto bashkëpunime do të ndihmojnë në shmangien e “padrejtësive historike” në zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe theksoi se AI duhet të përdoret për përparimin dhe mirëqenien e njerëzimit, ndërsa mbikëqyrja e saj duhet të jetë e saktë dhe efektive për të shmangur rreziqet.

Prezantohet modeli i ri kinez Kimi K3

Në të njëjtën kohë me konferencën, startup-i kinez Moonshot AI prezantoi modelin e ri të inteligjencës artificiale, Kimi K3.

Sipas kompanisë, modeli ka 2.8 trilionë parametra, duke e bërë atë modelin më të madh “open source” në botë. Për krahasim, modeli DeepSeek V4 Pro ka rreth 1.6 trilionë parametra.

Moonshot pretendon se Kimi K3 ofron performancë konkurruese ndaj modeleve më të avancuara amerikane dhe se tejkalon disa prej tyre në teste të caktuara.

Analistët vlerësojnë se modelet kineze po fitojnë terren sepse mund të përdoren me kosto shumë më të ulët se sistemet kryesore amerikane, edhe pse madhësia e Kimi K3 e bën të vështirë përdorimin e tij në pajisje personale.


/tvklan.al