Regjisori Kristaq Mitro, i cili u nda nga jeta dy vite më parë, u përkujtua në 80-vjetorin e lindjes së tij përmes një dokumentari.
“Kinemaja është magji”, i realizuar nga studentët e regjisorit të ndjerë, bazohet në jetën e tij dhe vjen si një udhëtim i jashtëzakonshëm i Kristaq Mitros në kinematografinë shqiptare. Për familjarët, ky film dokumentar është një amanet i përmbushur.
“Mënyra si është treguar dhe narracioni është një vlerësim për regjisorin e ri, ish-studentët e Kristaqit”, tha Eliana Mitro, bashkëshortja e Kristaq Mitros.
“Më duket sikur u realizua më në fund një vepër ku vlerësohet figura e tim eti. Meqenëse ai iku nga jeta papritur dhe nuk e realizoi dot filmin e tij të fundit, patëm ndjesinë që iku i pavlerësuar, pa një vepër”, shtoi Enida Mitro, vajza e Kristaq Mitros.
Artistët që bashkëpunuan me të që në fillimet e hershme kujtojnë kontributin e Kristaq Mitros për kinematografinë shqiptare:
Vasjan Lami, aktor: Një figurë që, fatkeqësisht, iku herët.
Rajmonda Bulku, aktore: Dokumentari kishte një koncept të jashtëzakonshëm, është unik. Është hera e parë që shikojmë një montazh të mrekullueshëm. Kjo tregon që Kristaqi u ka mësuar gjërat më të bukura për kuadrin dhe montazhin.
Mevlan Shanaj, regjisor dhe aktor: Ishte një dokumentar me vlerat e Kristaq Mitros, si një nga regjisorët që i kanë dhënë emër kinemasë shqiptare në një vizion të ri, në një kinema moderne.
Kristaq Mitro u nda nga jeta në prill të vitit 2023. Ai la pas një sërë filmash të njohur si “Dimri i fundit”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Liri a vdekje”, “Apasionata” dhe plot të tjerë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 