Sipërmarrësja Eda Bano ka bërë 4 dasma gjithnjë me të njëjtin person. Secila prej tyre ka qenë e ndryshme, por në bisedën me “Rudina” në Tv Klan ajo është ndalur te dasma tradicionale. Sipërmarrësja tregon se preket gjithnjë pasi ka ndodhur në një moment shumë delikat të jetës.

Ajo kishte humbur nënën, ndodhej në një gjendje të vështirë emocionale ku nuk po gjente asgjë që ta bënte të ndiente gëzim dhe mendoi se dasma do të ishte ajo që do ta ndihmonte.

Eda Bano: Ka qenë një periudhë kur ime më ndërroi jetë, nuk kishte shumë kohë që kishte ndërruar jetë dhe kisha rënë në një pus të thellë gremine që nuk po ngrihesha dot. Po e shikoja veten që po bija gjithnjë e më shumë. Shkoja në dyqane dhe blija vetëm rroba të zeza që nuk është në natyrën time, aq sa një kushërirë më shkundi dhe më tha ‘nuk ke për të blerë më’, por përsëri po e shikoja veten të fundosur. Pastaj mendova dhe thashë që mua më duhet diçka që të ngrihem, mirëpo me çfarë të ngrihem? Të bëj një udhëtim jashtë shtetit, nuk më ngre mua ajo se jam mësuar me ato gjëra kudo që të shkoj, është pjesa ime e mënyrës së jetesës. Çfarë të bëj, të bëj një festë? Jo.

Atëherë thashë, do të bëj një dasmë dhe kjo është ajo dasma tradicionale që unë kam bërë. Zgjodha të kem një rreth miqsh të ngushtë që më qëndruan pranë gjatë asaj kohe që ime më ndërroi jetë dhe ka qenë  periudhë fare e shkurtër, 2-3 muaj pasi ime më nuk ishte më, por gjithmonë e kujtoja që më thoshte “unë nuk dua që ti të biesh, të mërzitesh”, madje është e çuditshme por më thoshte “menjëherë sa të më përcillni aty ku shkojnë të gjithë, dua të ndalosh në dyqanin më të parë dhe të blesh një fustan të kuq”. Ma përsëriste edhe ime vjehrrë, “mos harro se mami yt nuk ka dashur asnjëherë që ti të ishe e mërzitur”.

Eda shton se ajo nisi ta përgatiste si festë surprizë për ditëlindjen e të shoqit, por më pas u detyrua t’ia tregonte dhe u përfshinë së bashku në organizimin e një dasme fantastike./tvklan.al