Kampionia shqiptare e atletikës, Luiza Gega, ka ndarë një rrëfim emocionues për sfidat që ka përjetuar gjatë karrierës së saj sportive, duke treguar paragjykimet me të cilat është përballur në arenën ndërkombëtare për shkak të faktit se përfaqësonte një vend të vogël si Shqipëria.

E ftuar në emisionin “Rudina”, Tv Klan ku diskutoi mbi patriotizmin dhe rëndësinë e përfaqësimit të vendit në aktivitetet ndërkombëtare, Gega tregoi se pjesëmarrja në një kampionat europian i ndryshoi këndvështrimin për sportin dhe përgjegjësinë që mbart një sportist kur garon me flamurin e vendit të tij.

Ajo u shpreh se pikërisht në atë përvojë kuptoi se sporti nuk është vetëm një garë individuale, por edhe një mënyrë për t’u treguar vendeve të tjera se Shqipëria mund të arrijë të njëjtat nivele dhe të konkurrojë denjësisht me shtetet më të mëdha.

Por rrugëtimi drejt majës nuk ka qenë i lehtë. Gega zbuloi se gjatë garave ndërkombëtare shpesh është ndier e paragjykuar nga konkurrentet e saj, të cilat, sipas perceptimit të saj, nuk e shihnin si një rivale me potencial për të fituar. Ky qëndrim, edhe pse i vështirë për t’u përballuar, u kthye në një motivim shtesë për të punuar edhe më fort.

“Unë kur kam marrë pjesë në një kampionat europian, pra që është kampionat i rëndësishëm, kam qenë një sportiste nuk e dija se çfarë do të thotë një kampionat i madh, por aty pashë fuqinë që ka sporti, ashtu siç e tha dhe profesori, për t’i bërë dhe shteteve të tjera që të kuptojnë që pse jo, edhe Shqipëria mund të jetë po aq e fuqishme sa ju, edhe pse është një vend i vogël. Pra që madhësia e një vendi nuk matet nga sipërfaqja apo nga banorët që ka, por edhe se sa vlerë ka edhe sa që dhe ne mund të jemi po aq lart sa ju. Edhe aty vendosa, sepse ishte një peshë që nuk është se e kisha vetëm unë si individ, mbartja me vete ngjyrat e flamurit që unë përfaqësoja dhe pse jo, edhe një komb të tërë, sepse aty bashkëngjitet Luiza Gega nga Shqipëria. Edhe vendosa që të punoj fort. Nuk e dija që pas 12 vitesh më është dashur që unë të jem në majë të Europës, por që doja që të isha e konkurrueshme, sepse e shikoja në sytë e kundërshtarëve që më shikonin me inferioritet, në formën që ‘kjo nga Shqipëria’ dhe nuk më shikonin si… Unë të paktën kështu e ndieja veten, nuk më shikonin si një konkurrente e denjë që unë mund të isha dhe me potencial për të qenë dhe fituese. Gjithë kohës e vuaja këtë pjesë”, tha ajo.

/tvklan.al