Mbrojtja e cilësoi sulm politik procesin ndaj gjyqtares së Krujës

Këshilli i Lartë i Gjyqësor do të vendos më 17 Mars për fatin e gjyqtares së Krujës. Enkeleda Hoxha vazhdon të qëndrojë në qeli pasi akuzohet nga SPAK për korupsion. Hoxha po përballet me procesin për masën disiplinore, shkarkim nga detyra që kërkon Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani.

Gjatë zvillimit të seancës ku u paraqitën konkluzionet përfundimtare të palëve, avokati i gjyqtares Ardian Visha është shprehur se gjithçka është politike duke e argumentuar me faktin që Enkeleda Hoxha nuk ka kryer disa shkelje ligjore për lirimin me kusht të Hekuran Billës, por është vetëm një shkelje, pasi sipas Vishes, është i njëjti person.

Po ashtu gjyqtarja Enkeleda Hoxha ka deklaruar se ka respektuar ligjin në të gjitha vendimet që ka marrë. Mirëpo ajo ka pranuar fajsinë për përllogaritjen gabim të kohës së dënimit që kishte kryer në Birtaninë e Madhe Hekuran Billa. Ajo ka pranuar se mund të ketë shkelur ligjin duke i ulur Billes, një vit nga dënimi. Por, sipas saj këto nuk janë arsye që të shkarkohet nga detyra.

Ndërkohë Inspektori i Lartë i Drejtësisë i qëndron kërkesës së tij që magjistratja duhet të shkarkohet. Metani argumentoi se Hoxha cënoi parimin e paanësisë së gjykimit dhe nuk respektoi kriteret për amnistinë. Metani thotë ndër të tjera se Enkeleda Hoxha ka diskredituar rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit dhe ka ulur dinjitetin e organit që përfaqëson duke e bërë atë të pa denjë për vazhdimin e ushtrimit të funksionit të magjistratit.

Enkeleda Hoxha qëndron në qeli së bashku me 9 persona të tjerë pasi dyshohet se kanë marrë para për të liruar nga burgu persona të dënuar.

Klan News