“Parregullsitë më të shumta në fushën e prokurimit, tatime e dogana”

Gjatë vitit të pandemisë Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar 710.7 milionë Euro shkelje nga ana e institucioneve publike, ku rreth 17.7 milionë Euro janë dëm ekonomik dhe 693 milionë të tjera janë mungesë të ardhurash në buxhetin e shtetit si pasojë e vendimeve të parregullta të marrë nga autoritetet.

Edhe pse për shkak të pandemisë janë kryer më pak auditime se gjatë vitit 2019, vlera e shkeljeve mbetet në të njëjtat nivele.

“Parregullsitë dhe paligjshmëritë e konstatuara i referohen përdorimit të fondeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet në fushën e prokurimit publik shoqëruar me mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit, të cilat në shumë raste rezultojnë të realizuara jo në përputhje me kuadrin ligjor”.

Në shumicën e rasteve KLSH ka gjetur shkelje në hapjen e tenderave me vlera të paplanifikuara nga buxheti, përllogaritje të pasakta të fondit limit dhe akumulime të vazhdueshme të detyrimeve të prapambetura.

Shkelje janë konstatuar edhe në buxhetet e administruara nga 9 bashki që janë kontrolluar, të cilat nuk kanë kryer inventarizimin e pronave duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta në buxhetet e tyre dhe nuk kanë pasqyruar saktë detyrimet ndaj të tretëve.

Dëmi ekonomik më i lartë është krijuar në fushën e mungesës së zbatimit të legjislacionit tatimor dhe doganor.

Tv Klan