Zv.kryeministrja Albana Koçiu, në një intervistë për Klan News, shprehu gatishmërinë e qeverisë për të dëgjuar propozimet e studentëve, duke i ftuar në një tryezë dialogu.
“Ne jemi të hapur për dialog. Kemi disa ditë tashmë. E kemi thënë që ditën e parë. Jemi të hapur për të dialoguar. Nuk jemi të hapur ndaj dhunuesve dhe ndaj organizatorëve të dhunës, jemi të hapur ndaj çdo studenti dhe ndaj çdo qytetari. Ne jemi të hapur në çdo orë dhe në çdo moment”.
Uljen sa më parë në tryezën e dialogut, Koçiu e sheh si domosdoshmëri për të mos cenuar aktivitetin e qytetarëve dhe bizneseve, edhe pse thekson se shërbimet nuk janë ndalur.
“Shërbimet nuk janë ndalur, por patjetër që kjo situatë, nëse vazhdon, do të cenojë jetën e përditshme, bizneset, sigurinë; ndaj është shumë e rëndësishme që të ulet në tryezë”.
Koçiu tregoi edhe arsyet që e shtynë qeverinë të shpërblejë financiarisht efektivët e policisë të përfshirë në protestë. Zv.kryeministrja foli edhe për paketën e re të masave që po harton qeveria kundër dhunës dhe vandalizmit, ku theksoi se bëhet fjalë për masa administrative dhe jo penale.
“Ne po punojmë për një paketë masash administrative, me parimin që kush shkatërron pronën do duhet të dëmshpërblejë të gjitha ato dëmtime që vijnë si rezultat i dhunës. Çdo vepër publike që bëhet për qytetin është patjetër vepër e taksave të shqiptarëve dhe kushdo që dhunon një institucion publik do duhet të dëmshpërblejë.”
Sipas zv.kryeministres, çdo individ që cenon pronën publike apo private do të përballet me forcën e ligjit, nëse konstatohet vepra penale.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 