Ministria e Drejtësisë zhvilloi këtë të martë tryezën për konsultimin publik të draftit të Kodit të ri Penal për nenet që prekin punën e gazetarëve dhe lirinë e medias.
Diskutimi u shtri mbi nenet e fyerjes, shpifjes, lirisë së medias, publikimit të materialeve sekrete, ndikimit mbi gjyqësor apo edhe fyerjet ndaj zyrtarëve publikë.
Drejtuesja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, kërkoi rishikim të këtyre neneve në mënyrë që puna e gazetarëve të mos cenohet.
“Gjykojmë se çdo kritikë politike, satirë, karikaturë apo artikull investigativ mund të interpretohet si ‘përdhosje’ ose ‘përbuzje’ e institucioneve. Gazetarët rrezikojnë ndëshkim penal për forma të ligjshme të kritikës demokratike. Ata rrezikojnë të vetëcensurohen për të shmangur interpretime penale të ‘përdhosjes’, të cituar në këtë nen (pra neni 235).”
Neni i ndikimit në gjyqësor, për Krasniqin, është i paqartë.
“Në termin ‘ndikim’ mund të përfshihen dhe merren në gjykim edhe komentet kritike publike, diskutimet, debatet për gjyqësorin, të cilat ndodhin shpesh nëpër media. Pra, rrezikon që një temë e caktuar emisioni me temë gjykatat të hyjë në parashikimet e këtij neni. Çka sjell rrezikun e ndërhyrjes në një proces shumë të rëndësishëm për median, që është transparenca dhe llogaridhënia.”
Për Mark Markun, dekanin e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, publikimi ose jo i të dhënave sekrete nga gazetari është problem etik dhe duhet të vetërregullohet.
“Janë disa çështje që lidhen me sekretin, që do të duhet të konsiderohen si probleme etike, që i përkasin vetërregullimit. Është një parim që aty ku norma e vetërregullimit bëhet rregullim ligjor, jemi në sistem censurë.”
Ai shtoi se media nuk ka si të cenojë pavarësinë e gjyqësorit.
“Nëse dikush është i pavarur dhe do të jetë i pavarur, nuk e humb pavarësinë nga asnjë formë presioni apo ndikimi. Pavarësia nuk është koncept që lidhet me të tjerët, por lidhet me raportin që ti ke me detyrën.”
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, tha se produkti përfundimtar do të reflektojë qëndrimet e mbajtura dhe do të jetë shumatorja e të gjithë mendimeve të shprehura.
I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe Arben Rakipi, drejtues i grupit të punës që ka bërë draftin, i cili tha se një variant i tij me ndryshime si rezultat i konsultimeve do të publikohet në dhjetor.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 