Hartimi i Kodit të ri Penal ka bërë bashkë në një takim konsultues të organizuar nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, të gjithë përfaqësuesit e institucioneve që preken nga ndryshimet ligjore.
Mes tyre ishin Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, si dhe drejtuesi i grupit që është marrë me hartimin e draftit të kodit të ri, Arben Rakipi.
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, gjatë fjalës së tij tha se institucioni që ai drejton ka evidentuar, përmes një dokumenti me 50 faqe, çështjet që kërkojnë reflektim dhe rishikim. Mes tyre, theksoi ai, janë mospërputhjet e disa prej neneve me Kodin Civil, Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet e tjera.
“Vërehet një përzierje midis dispozitave materiale dhe atyre procedurale. Disa nene që trajtojnë çështje të natyrës procedurale, si ato për masat mjekësore dhe edukuese ndaj të miturve, për lirimin me kusht apo pezullimin e veprimtarisë së personave juridikë, duhen rregulluar në Kodin e Procedurës Penale, jo në Kodin Penal”, tha kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Sadushi theksoi gjithashtu se drafti aktual është i mbingarkuar dhe në disa raste me nene të formuluara jo mirë.
“Projekti aktual, me mbi 950 nene, shpesh të mbingarkuara e të paqarta, rrezikon të zhvendosë theksin nga mbrojtja e lirive drejt forcimit të ndërhyrjes shtetërore. Vërehet se dispozita kyçe përmbajnë formulime të paqarta, që krijojnë hapësirë për interpretime të ndryshme nga gjykatat“.
Më tej, ai kërkoi edhe një rishikim të plotë të neneve që lidhen me lirinë e shprehjes dhe të drejtën për informim, duke përmendur nenet përkatëse të draftit.
Rezerva për kodin e ri penal ka shprehur edhe kryeprokurori Olsin Çela si dhe juristë dhe njohës të fushës së drejtësisë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 