Kolonët izraelitë sulmuan forcat e sigurisë dhe vandalizuan makinat e ushtrisë dhe instalimet e sigurisë jashtë dhe në një bazë ushtarake në Bregun e pushtuar Perëndimor. Kjo u bë e ditur nga ushtria izraelite sot më 30 qershor.

Sipas mediave izraelite, në shënjestër ishte komandanti i bazës së Brigadës Rajonale Binjamin në Bregun Perëndimor, duke e quajtur “tradhtar”.

Ky komandant ishte në mesin e trupave që u sulmuan javën e kaluar, teksa ushtarët tentuan që të ndalonin kolonët të hynin në një zonë të mbyllur ushtarake afër fshatit palestinez, Kafr Malik, pasi kishin sulmuar dhe kishin vrarë të paktën tre palestinezë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dënoi ashpër sulmet duke i cilësuar si “akte të dhunshme dhe anarkike”.

“Nuk ka asnjë vend civil që mund të tolerojë zjarrvënien ndaj një baze ushtarake, dëmtimin e pronës së IDF-së apo sulmet ndaj personelit të sigurisë nga vetë qytetarët e tij”, tha Netanyahu në një deklaratë zyrtare.

Ai u bëri thirrje forcave të rendit të hetojnë ngjarjen dhe të ndjekin penalisht ata që i quajti “rebelë”, por njëkohësisht theksoi se bëhet fjalë për një pakicë të vogël.

“Komuniteti i kolonëve është një model për vendin,” shtoi ai, “dhe nuk do të lejojmë që disa individë të dhunshëm dhe fanatikë të njollosin një tërësi të tërë.”

Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka ftuar në takim të gjitha agjencitë e sigurisë për të diskutuar për incidentin. Duke i lavdëruar për dedikimin që nga nisja e luftës në Gaza në tetor të vitit 2023, ai tha se Qeveria “nuk do të lejojë asnjë grup të dhunshëm që t’i lëndojë ata”.

Disa organizata joqeveritare për të drejtat e njeriut kanë denoncuar rritjen e dhunës nga ana e kolonëve në Bregun Perëndimor dhe po ashtu për mosndëshkimin e tyre.

Dhuna në Bregun Perëndimor është përshkallëzuar që nga nisja e luftës në Gaza, e cila u nxit nga sulmi i Hamasit,grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ndaj Izraelit më 7 tetor 2023./tvklan.al