Armando Broja dhe Anis Mehmeti mund të luajnë titullarë në miqësoren me Ukrainën që do të zhvillohet të martën në Valencia. Dy lojtarët, të cilët aktivizohen në Angli, duket se do të jenë lëvizja e Sylvinhos në repartin ofensiv.

Broja hyri në fushë si zëvendësues në takimin me Poloninë, ndërsa Mehmeti qëndroi në stol. Trajneri dhe stafi i tij kanë ende kohë për të vendosur formacionin e minutës së parë.

Mungesat në sulm janë të rëndësishme, pasi të dielën u konfirmua dëmtimi i Ernest Muçit. Sulmuesi i krahut ka një lëndim në kofshën e djathtë që u vërtetua pas rezonancës magnetike. Muçi u largua nga grumbullimi, pasi i duhen disa ditë pushim dhe do ta vijojë riaftësimin tek ekipi i tij, Trabzonspor.

Kombëtarja do të zhvillojë sot në orën 18:00 edhe stërvitjen zyrtare në stadiumin e Levantes. Më herët, trajneri Sylvinho do të dalë në konferencën e zakonshme.

Ndeshja Ukrainë-Shqipëri, që do të nisë në orën 20:45 të së martës, do të transmetohet në Tv Klan.

Tv Klan

/tvklan.al