Shpresat për një vend në raundin e 1/16-ave të Europianit mbeten ende të gjalla për kombëtaren shqiptare.

Kuqezinjtë dhuruan një tjetër performancë të mirë dhe emocionuese në “Hamburg” për të marrë pikën e parë dhe qenë në lojë dhe sërish pjesë e Kampionatit Europian. Barazim 2-2 ndaj Kroacisë, me takimin e transmetuar ekskluzivisht në TV Klan që dhuroi emocione spektakolare.

Qazim Laçi zhbllokoi takimin pas 11 minutash lojë për të krijuar iluzionin e një fitoreje kuqezi. Dominimi i kombëtares sonë ishte i dukshëm në fushën e lojës, duke krijuar shpesh raste për gol.

Por në fund, lojtarët tanë dështuan për të shënuan edhe golin e dytë. Fraksioni i parë i lojës përfundoi me avantazhin e Shqipërisë, çka detyroi Zlatko Daliç të ndërhyjë nga stoli. Zëvendësime që i dhanë tjetër ritëm kroatëve, që kapën në befasi skuadrën tonë.

Kramariç barazoi llogaritë, i cili pasi shmangur Hysaj goditi në shtyllën e parë të Strakoshës për të shënuar për 1-1. Gol që tronditi jo pak kuqezinjtë, pasi pësuan sërish. Në harkun e më pak se 2 minutave, kroatët shënuan, këtë herë pas kaosit të shkaktuar në mbrojtjen tonë.

Klaus Gjasula gaboi, duke devijuar topin drejt fundit të rrjetës. Kjo solli reagimin e Sylvinho nga stoli. Aktivizimi i Dakut dhe Hoxhës transformoi totalisht ritmin kuqezi. Pikërisht, hedhja në fushë e tyre solli forca të shumta në sulm, me rastet që u shfrytëzuan nga Gjasula.

Mesfushori zhvlerësoi gabimin e pak minutave më parë, për të shmangur kështu humbjen dhe barazuar llogaritë në 2-2. Një gol me tepër peshë, pasi tashmë hidhen sytë nga rezultati i rivalëve.

Përballë Spanjës do të kërkohet vetëm fitorja për të qenë pjesë e 4 skuadrave më të mira të renditura nga vendin e tretë.

Klan News