Kombëtarja shqiptare e futbollit mbërriti pasditen e së premtes në Austri, ku do të zhvillojë edhe fazën përgatitore në kuadër të finaleve “Gjermani 2024”, si edhe për dy sfidat miqësore ndaj Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit.

Skuadra është akomoduar në qytetin e Gracit. Me grupin kanë udhëtuar 24 lojtarë, ndërsa Berat Gjimshti, Amir Abrashi dhe Taulant Seferi do të bashkohen me skuadrën në Austri.

Para nisjes, nën një atmosferë fantastike menjëherë pas përfundimit të stërvitjes, djemtë kuqezi përjetuan një emocion të veçantë.

E gjithë administrata e FSHF-së dhe dhjetëra fëmijë nga akademitë e futbollit në kryeqytet takuan lojtarët dhe stafin teknik. Ata i uruan suksese dhe një përfaqësim sa më dinjitoz në finalet e Kampionatit Europian.

Në mëngjesin e së premtes, grupi me 25 futbollistë kreu seancën e fundit stërvitore në ‘Shtëpinë e Futbollit’.

Nën urdhrat e trajnerit Silvinjo u stërvitën edhe dy lojtarët e Kombëtares U-21, Rejan Alivoda dhe Erald Maksuti.

Portieri Elhan Kastrati u la përsëri pushim nga stafi teknik për shkak të gjendjes gripale. Fillimisht lojtarët punuan në palestër e më pas me disa ushtrime me topin, ndërsa zhvilluan edhe një ndeshje testuese.

Kombëtarja kuqezi do të kryej seancat e radhës në Austri, ku do të qëndrojë deri më 8 qershor.

Kuqezinjtë do të luajnë më 3 qershor ndaj Lihtenshtejnit dhe 4 ditë më pas me Azerbajxhanin në “Haladás Sportkomplexum”, të Hungarisë.

Klan News